Qeverisje me ushtrues detyre, Shala: Qeveria Kurti është duke punuar në mënyrë të jashtëligjshme

18 shtator 2024 | 11:06

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka kritikuar qeverinë Kurti, konkretisht Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila është duke funksionuar me ushtrues detyre.

Ai ka se është e habitshme se si një qeveri e terë është duke punuar jashtëligjshëm.

“Kjo ministri, por jo e vetmja, nga sot praktikisht ka dhjetëra sektorë dhe departamente, pozita drejtorësh e agjencionesh, që janë jo funksionale. Çdo vendimmarrje brenda këtyre institucioneve që mbajnë pozita ‘ushtrues detyre’, përkatësisht zëvendësues, nga sot janë krejt të paligjshme, sepse këtë e thotë Ligji nr.08/L-197 për zyrtarët publik, kapitulli III, neni 35, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi tash e një vit. Është e habitshme se si një qeveri e tërë punon jashtëligjshëm, e vendimet e kësaj qeverie nga sot për të gjitha pozitat e lartcekura, janë të pavlefshme”, ka shkruar Shala në “Facebook”, duke treguar se të gjitha dikasteret e MMPHI-së janë duke funksionuar me ushtrues detyre.

“Për ta ilustruar këtë shembull të keqqeverisjes apo paaftësisë qeverisëse, më lejoni të ju përmend një listë të ‘ushtruesve’ në këtë qeveri, përkatësisht në këtë ministri:

sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, ushtrues detyre, drejtori i Agjencisë së Mjedisit, ushtrues detyre, drejtori i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, ushtrues detyre, drejtori i Departamentit të Mjedisit, ushtrues detyre, drejtori i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ushtrues detyre, drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane, ushtrues detyre. Shihni edhe një fakt të çuditshëm; në pozita shumë të larta, ka raste kur një zyrtar ka ushtruar pozitën e sekretarit të përgjithshëm, pas një periudhe ka kaluar ushtrues detyre në Agjenci të Mjedisit, pastaj pas një periudhe tjetër prapë është kthyer ushtrues detyre i sekretarit. Pra, kemi të bëjmë me ushtrues të shumëfishtë, ‘ushtrues të ushtruesve’ e manipulime të tilla”, ka shkruar Shala.

Më tutje, ai ka thënë se një gjë e tillë është duke ndodhur për shkak të kontrollimit të administratës së kësaj ministrie për qëllime të kundërligjshme.

“Për më keq, ka pozita ku ‘ushtruesi’ është emëruar kundërligjshëm, duke kapërcyer shume ‘shkallë’ nga pozita e zyrtarit, në ushtrues detyre i drejtorit të departamentit. Pse ndodh kjo?! Arsyeja e vetme është që ata të jenë më të ‘dëgjueshëm dhe të kontrollueshëm’ dhe rasti më ilustrativ për dëgjueshmërinë së tyre, është afera tashmë publike e Ambalazhuesve të Ujit”, ka shkruar Shala.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken mbërriti në Kajro…