Qeveritë e Kosovës, assesi të jenë të mikluara nga Evropa, mësim i njohur
Opinion nga Skënder Berisha
Pozita në të cilën gjendet qeveria aktuale, premtimet elektorale, do të mbetet t’i jetësojë, tash për tash vetëm në raport me Sindikatat, duke dhënë ndonjë gol nga pozita e palejueshme
Me çlirimin e Kosovës, u krijua një realitet i ri, i cili, për disa politikanë evropianë, as që mund të imagjinohej. Kjo nuk mund të thuhej për një dimension të Joshka Fisherit, apo ndonjë tjetri që njihnin përmasën e dhunës kundër shqiptarëve në Kosovë, apo njohës të rrethanave të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve pas Kongresit të Berlinit.
Qeveritë e dala nga procesi demokratik, pas çlirimit të Kosovës, morën bekimin e qytetarëve nëpërmjet votimit në parlament si republikë parlamentare. Pritjet ndaj qeverive, duke filluar nga ajo e Bajram Rexhepit e këndej, deri te Qeveria Kurti, kanë qenë të mëdha, aq të mëdha sa nuk mund të gëlltiten.
Pse ishin dhe janë aq të mëdha pritjet e qytetarëve të Kosovës?
Liria është fushë e madhe e imagjinatës së realizueshme dhe të parealizueshme, kërkesave reale e joreale. Liria ofron mundësinë për pritshmëri. Kjo i ngjau qytetarëve të Kosovës, komuniteteve të saj, “popullatës”, “miletit” e “narodit” të saj.
Qeveritë, nga ajo e Bajram Rexhepit, deri te kjo e Albin Kurtit, kishin rrugë jo aq të lehtë, për të arritur te momenti i zbatimit të pritshmërive të qytetarëve. Por, marrja e mandatit, nuk ishte edhe fillimi i realizimit të pritshmërive. Sfidat e Qeverisë së parë pas zgjedhjeve nacionale, pas çlirimit, ishin të lidhura me praninë e fuqishme ndërkombëtare. Ishte qeveri e mbushur me këshilltar të çdollojshëm, përgjegjës ekzekutiv që nuk flisnin shqip, as i kuptonin problemet me të cilat ballafaqohej qytetari i Kosovës. Kjo vazhdoi madje në disa qeveri. Mungesa e përvojës ishte atuja kryesore e të huajve, për të minimizuar punën apo rrolin e qeverisë, të kapacitetit vendor duke etiketuar e përshkruar ashtu siç iu përshtatej apo ju duhej atyre.
Pra, Kosova pasqyrohej me kaos, mungesë të demokracisë, etj. etj. epitete të cilat shumë prej tyre nuk i dispononin as në vendet prej nga vinin. Për shembull, të drejtat e pakicave në Kosovë çmohen më shumë se në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Kujto këtu vetëm përqindjen e popullsisë në raport me të drejtat e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në Rumani, Bullgari, Greqi, Serbi, Poloni, Hungari, Gjermani, Francë, etj. Kjo pasqyrë nxirosëse e të huajve për Kosovën, ishte e dëshirueshme, sepse, faktori ndërkombëtar do ta kishte më lehtë të qëndronte në Kosovë sa më gjatë, dhe sa më i përkëdhelur edhe nga punëdhënësit e vet nga shtetet mike nga vinin, por edhe para faktorit vendor për të lavdëruar restorantet, makiatot dhe vajzat e Kosovës.
Sfida e qeverive të Kosovës, ishin të lidhura me kapacitetin e prioriteteve të parashtruara. Kapacitetet e qeverive, deri te kjo e Kurtit, gjithsesi pasqyrojnë tendencën për ecjen përpara, zhvillimin e qëndrueshëm dhe avancimin e proceseve. Secila qeveri që u vendos me mandat, e mendonte veten të përzgjedhur për të realizuar pritshmëritë. Fjalamania e madhe, solli edhe pritshmëritë e mëdha.
Faktori ndërkombëtar, asnjë herë nuk tregoi gjithë zemërgjerësinë me ato që i proklamonte. Opozitarizmi ndërkombëtar ndaj qeverive të Kosovës, u bë edhe ushqim për opozitarizmin vendor, për të evidentuar defekte edhe ku nuk kishte. Përqafimi i këtyre pozave ndërkombëtare, faktorit vendor i bëri dëme të mëdha, sepse, besoi se ato që ndërkombëtarët i thoshin për Kosovën edhe janë të vërteta.
Me ardhjen në Qeveri të grupimeve të ndryshme me qasje të skajshme kundër qeverisjes 20 vjeçare (me epitete të paqëndrueshme, sepse në qeverisje ishin parti të ndryshme, me votë demokratike), të cilat mbështeteshin te raportet ndërkombëtare, të përqendruar në opozitarizmin destruktiv, tashmë do t’i pengojnë edhe qeverisë aktuale.
Qasje joobjektive dhe më e padrejtë u dëshmua ndaj UÇK-së, udhëheqësve dhe vlerave të saj. Prandaj, Qeveria Kurti do të bëhet kurban edhe i vlerësimeve nga po ato burime që ushqeu opozitarizmin e vet, tezat e kundërshtimeve të raporteve ndërkombëtare, njëherësh, opozitarizmit joparimor me qasje joobjektive dhe etiketimeve joobjektive për të kaluarën e afërt historike si çlirimi, shtetformimi dhe shtetndërtimi. Kjo vërehet nga raportet që dalin rreth sundimit të ligjit, përqindjes së krimit të organizuar, shpëlarjes së parave të pista, të korrupsionit, të dukurive negative në shoqëri dhe defektet tjera të cilat ishin bazë për të sulmuar pozitën e mëhershme.
Kjo qeveri, tashmë e vëren sabotimin që i vije po nga ai faktor ndërkombëtar që i shërbente për opozitarizëm, jo vetëm nga raportet por edhe nga tavolinat ndërkombëtare. Premtimet opozitare, kjo Qeveri nuk po arrin t’i vë në jetë, madje më i freskëti është kundërshtimi për fusnotën si “bezdi”, kategori krejt jopolitike. Ashtu siç ishte “i ndaluar” me Kushtetutë, “bashkimi kombëtar” dhe një mori sintagmash e kalkesh qesharake politike si konfirmimi i bashkimit me “referendum demokratik e paqësor”.
Fjalët nuk janë të mjaftueshme për të dëshmuar se Kosova është kampion në sundimin e ligjit, apo pse Kosova ka shkallën më të ulët të korrupsionit në rajon, dhe një mori e të arriturave të cilat kjo qeveri tashmë dëshiron t’i lansojë. Këto të arritura janë procese mbi 20 vjeçare. Por, ambienti i kontaminuar me vite, kundër të arriturave të Kosovës nuk mund të rehabilitohen për disa muaj. Ky mandat i kësaj qeverie, do t’i shërbej më së miri ta vlerësoj objektivisht punën 20 vjeçare të pararendësve, të arriturat si dhe sfidat që i patën qeveritë e deritashme. Paçka, duke evituar lëshimet, të cilat jo vetëm se kanë mundur të jenë nga “padija” apo “lakmia”, por edhe të shtyra nga rrethanat apo rendi sipëror i forcave në rajon e më gjerë.
Aq më pak, kjo Qeveri mund të pres lëvdata apo miklimet nga ata që e yshtnin për të zhvlerësuar çdo arritje të Republikës së Kosovës, e cila, si ilustrim deri më 2016, nuk e kishte përgjegjësi as sistemin e drejtësisë, të cilën tashmë e kishte stërmbushur me të përkëdhelur dhe kriminelë të ish pushtetit jugosllav.
Pozita në të cilën gjendet qeveria aktuale, premtimet elektorale, do të mbetet t’i jetësojë, tash për tash vetëm në raport me Sindikatat, duke dhënë ndonjë gol nga pozita e palejueshme. Evropa, nuk ndryshon shpejt as lehtë, pa forcën centrifugale që vije nga bota e re, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa të cilën, qenia, subjekti shtetëror e madje ekzistenca jonë, do të ishte krejt ndryshe nga kjo që kemi. Pra, qeveritë e Kosovës nga çlirimi e këndej, nuk duhet harruar, assesi nuk kanë qenë as janë të mikluara nga Evropa, është mësim i njohur. Mësim që duhet t’i shërbej edhe qeveritarëve të rinj. E kaluara është mësim për ata që duan ta marrin pa pagesë, por sipas të gjitha gjasave, disave kjo nuk po ju pëlqen. Për fat të keq, për këtë mund të paguaj sërish Kosova. Kjo mbase, është faturë që e tumirin 50.28%, apo ndryshe i 45% i shtetasve të Kosovës.