Qeveritë kanë dështuar t’u ofrojnë ndihmë bizneseve dhe qytetarëve
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sejdi Hoxha, ka vlerësuar se qeveria e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti ka dështuar t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në kohën kur vendi ynë është duke u ballafaquar me pandeminë Covid-19. Në këtë intervistë dhënë “Epokës së re”, Hoxha ka thënë se qeveria Hoti është duke e vazhduar rrugën e dështimit të cilën e kishte nisur ish-qeveria e drejtuar nga Albin Kurti. “Të njëjtin dështim e ka edhe qeveria Hoti, pasi për më shumë se gjashtë muaj s’ka arritur ta implemtojë një pako të vetme fiskale, e cila si pikë kryesore ka dhënien e 170 eurove për punëtorët e sektorit privat dhe pagesën e qerasë për 50 për qind për bizneset. Karshi vendeve të rajonit, Kosova është vonuar më së shumti për zbatimin e pakos fiskale. Qeveria apo kryeministrat, ato para nuk kanë pasur t’i japin nga buxheti familjar, pasi ka ekzistuar buxheti shtetëror, mirëpo si pasojë e mosdijes dhe zvarritjes së këtij procesi, ende bizneset dhe qytetarët s’i kanë marrë pagesat e dyta”, është shprehur Hoxha, duke e quajtur joprofesionale qeverinë Hoti.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej ta ndiqte shembullin e shumë vendeve evropiane të cilat kanë reaguar me urgjencë karshi pandemisë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se gjatë gjithë kësaj kohe grupi parlamentar i PDK-së ka qenë konstruktiv sa i përket menaxhimit të situatës në të cilën gjendet vendi. Hoxha ka thënë se për hir të interesit të qytetarëve, PDK-ja, edhe pse në opozitë, ka mbështetur buxhetin e rishikuar edhe pse, sipas tij, ky buxhet është me plot defekte. “PDK-ja ishte e gatshme ta japë kontributin në mënyrë që pandemia të ketë ndikim sa më të vogël në jetën e qytetarëve por, fatkeqësisht, kjo pako nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e atëhershme në pozitë”, është shprehur Hoxha.
Hoxha, i cili është edhe anëtar i komisionit hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, ka folur edhe për punën e këtij komisioni. “Për vitet të tëra janë hedhur akuza të ndryshme ndaj PDK-së sa i përket procesit të privatizimit. Për ta dëshmuar të kundërtën dhe për t’i hedhë dritë këtij procesi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e ka iniciuar një hetim parlamentar nga Kuvendi”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa duke folur për mundësinë e përfshirjes së PDK-së në qeverinë Hoti, Hoxha ka thënë se po të ishin të interesuar tashmë do të ishin në pushtet. “Deri më tani e kemi pasur mundësinë që të jemi parti në pushtet, por nuk kemi dashur”, ka deklaruar Hoxha.
Sa iu përket raportimeve në media për mundësinë e përfshirjes së PDK-së në qeverinë Hoti, Hoxha ka thënë se nuk janë të interesuar për një gjë të tillë. “Deri më tani e kemi pasur mundësinë që të jemi parti në pushtet, por nuk kemi dashur. Ne kemi dashur që të reflektojmë si parti opozitare dhe të dëshmojmë që jemi për shtetin dhe qytetarët edhe pse jemi në opozitë”, ka deklaruar Hoxha.
“Epoka e re”: Z. Hoxha, si e vlerësoni situatën ekonomike në kohën e pandemisë, marrë parasysh proceset legjislative nëpër të cilat kanë kaluar disa ligje nga fusha ekonomike?
Hoxha: Kriza globale që ka shkaktuar pandemia ka ndikuar negativisht në të gjithë botën, jo vetëm në aspektin shëndetësor, por ka goditur rëndë edhe ekonomitë më të zhvilluara të botës. Në këtë aspekt e ka goditur jashtëzakonisht shumë edhe Kosovën. Unë jam një ndër deputetët më të zëshëm që kam folur për ndihmën që qeveria duhet t’ua japë bizneseve dhe qytetarëve në kohën e pandemisë. Ky problem zanafillën e ka nga aprovimi i Ligjit të buxhetit nga ish-qeveria Kurti, kur në mënyrë klandestine, në mesnatë dhe pa debat me opozitën, e kanë aprovuar këtë ligj, duke u thirrur në situatën e pandemisë, ndërsa nuk kishin paraparë mjete financiare me të cilat do ta menaxhonin situatën. Këtë e dëshmon edhe fakti që ish-qeveria Kurti nuk ka mundur ta implementojë pakon fiskale që e ka aprovuar vetë. Thënë më shkurt ,ata kanë aprovuar pako për të cilat s’i kanë pasur mjetet financiare. Të njëjtin dështim e ka edhe qeveria Hoti, pasi për më shumë se gjashtë muaj s’ka arritur ta zbatojë një pako të vetme fiskale, e cila si pikë kryesore ka dhënien e 170 eurove për punëtorët e sektorit privat dhe pagesën e qerasë për 50 për qind për bizneset. Karshi vendeve të rajonit, Kosova është vonuar më së shumti në implementimin e pakos fiskale. Qeveria apo kryeministrat, ato para nuk kanë pasur t’i japin nga buxheti familjar, pasi ka ekzistuar buxheti shtetëror, mirëpo si pasojë e mosdijes dhe zvarritjes së këtij procesi, ende bizneset dhe qytetarët s’i kanë marrë pagesat e dyta.
“Epoka e re”: Propozimi i PDK-së ishte që punëtorët e sektorit privat të marrin nga 300 euro për tre muaj, por ky propozim ishte quajtur “ambicioz” dhe i paarritshëm. Marrë parasysh mundësitë buxhetore, mendoni se do të mund të realizohej një propozim i tillë?
“Epoka e re”: Pakoja fiskale e aprovuar në ish-qeverinë Kurti-Hoti në vlerë prej 170 eurosh ne e kemi konsideruar se është asistencë sociale, e jo ndihmë për punëtorët e sektorit privat. PDK-ja, edhe pse në opozitë, e ka përgatitur dhe modeluar një pako fiskale në kuptimin financiar dhe është prezantuar nga shefi ynë i grupit parlamentar, Bedri Hamza. Kjo pako ka qenë mjaft serioze dhe do ta ndihmonte shumë sektorin privat. PDK-ja ishte e gatshme që të japë kontributin në mënyrë që pandemia të ketë ndikim sa më të vogël në jetën e qytetarëve por, fatkeqësisht, kjo pako nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e atëhershme në pozitë. Ne edhe pse jemi në opozitë, kemi luajtur rol konstruktiv në çdo vendim që ka ardhur në Kuvend, i cili prek interesat e qytetarëve. Më lejoni t’i jap dy shembuj. I pari ka të bëjë me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në vlera milionëshe për projekte të ndryshme, ku ne kemi votuar pro tyre përkundër faktit që LDK-ja dhe LV-ja sa ishin në opozitë s’e kanë bërë një gjë të tillë. Ne kemi dashur të japim shembull se edhe pse jemi në opozitë, ne jemi pro interesit të vendit. Dhe shembulli i dytë ka të bëjë me Ligjin për buxhetin e rishikuar, ku edhe pse kemi pasur shumë vërejtje, pasi është një dokument joprofesional dhe nuk i zgjedh problemet e vendit, ne kemi votuar pro tij dhe për hir të situatës. Ky projektligj nuk kishte asnjë shans të kalonte pa votat e PDK-së. Por, edhe këtë çështje e kemi tejkaluar për hir të interesave të qytetarëve.
“Epoka e re”: A kishte “rezistencë” brenda grupit tuaj parlamentar që mos të votohej buxheti i rishikuar?
Hoxha: Të them të drejtën secili nga deputetët, bazuar në situatën në të cilën gjendet vendi, nuk ka ngurruar të votojë. Ne kemi pasur raste kur së bashku me grupin ishim në dreka dhe kafe dhe vinin kamerierët dhe pronarët e restoranteve dhe na lusnin që ta votojmë buxhetin dhe t’i harrojmë dallimet politike, duke vendosur në interes të bizneseve dhe qytetarëve. Pra, brenda grupit kishte një unitet të përgjithshëm për këtë. Por, pavarësisht prej gatishmërisë sonë, me zvarritjen e kësaj pakoje qeveria po tregohet e dobët, joprofesionale dhe shumë e vonuar për ofrimin e ndihmës për bizneset dhe qytetarët.
“Epoka e re”: Pandemisë s’i dihet fundi, kurse ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë kolaps financiar nëse deri në tetor nuk ofrohet ndihmë më e madhe për bizneset nga shteti. Sipas jush, si duhet të ndihet dora e shtetit tani e tutje?
Hoxha: Qeveria e Kosovës duhet t’i përcjellë vendet evropiane në aspektin ekonomik. Unë kam shikuar strategjinë e shumë vendeve dhe kemi rastin e Austrisë e cila ka ndarë 38 miliardë euro për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset. Kemi rastin e Mbretërisë së Bashkuar që ka ndarë 2 500 puandë për çdo punëtor të sektorit privat. Po ashtu, kemi rastin kur shtete të ndryshme kanë paguar punëtorët me orar të shkurtuar, shembull bizneset e gastronomisë që punojnë me orar të shkurtuar.
“Epoka e re”: Z. Hoxha, cili do të jetë epilogu i komisionit hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë dhe si u përgjigjeni zërave që “ky komision është iniciuar për ta “pastruar” PDK-në?
Hoxha: Për vite të tëra janë hedhur akuza të ndryshme ndaj PDK-së sa i përket procesit të privatizimit dhe për ta dëshmuar të kundërtën dhe për t’i hedhur dritë këtij procesi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e ka iniciuar një hetim parlamentar nga Kuvendi në mënyrë që të hetohet komplet procesi i privatizimit nga koha e AKM-së dhe transformimi në AKP. Pra, të hetohen të gjitha privatizimet dhe të shihet kush kanë qenë privatizuesit dhe lidhjet e tyre direkte apo indirekte me politikën. Po ashtu, të analizohet se a janë përmbushur kontratat në mes të AKP-së dhe privatizuesve. Të gjitha këto procese i kemi iniciuar dhe kemi filluar grumbullimin e informacioneve nga AKP-ja, ku kemi marrë listën dhe të gjitha raportet do të jenë publike. Mandati i këtij komisioni është gjashtë muaj dhe, marr parasysh faktin që kanë ndodhur mijëra privatizime, nuk është e lehtë që ky proces të përfundojë shpejt, pasi është shumë kompleks dhe duhen analiza mjaft të mëdha.
“Epoka e re”: Meqë ishit në krye të Postës e që është pranë kolapsit, çfarë strategjie duhet të përdoret dhe a jeni pro privatizimit të Telekomit të Kosovës?
Hoxha: Në Postën e Kosovës mandatin e kisha trashëguar me rreth 3 milionë humbje financiare në vitin 2012. Ndërsa për herë të parë në historinë e saj ka përformuar në formë pozitive në vitin 2016, duke dalë me bilanc pozitiv. Po përmend vetëm një shërbim që e kishim krijuar e që është shërbimi i kryerjes së pagesave në zyrat postare, ku sot Posta e Kosovës ka 2 milionë euro të hyra vjetore nga ky shërbim. Kemi edhe shërbimin tjetër të krijuar për herë të parë, siç është shpërndarja e skemave sociale. Ju e dini se në kohën e pandemisë brenda dite posta ka shpërndarë të gjitha asistencat në tërë territorin e Kosovës. Ka mënyra sesi qeveria mund ta ndihmojë këtë ndërmarrje, siç është mbulimi i shërbimit universal postar. Ju e dini që posta për 0.40 centë e dërgon një letër kudo në Kosovë, madje edhe në zonat me të thella, për shembull, në Dragash, dhe kjo i kushton postës rreth 40 euro, por duhet ta dërgojë pasi e ka obligim ligjor. Në të gjitha vendet e botës ky shërbim subvencionohet, pasi për postën ky shërbim krijon më shumë humbje sesa fitim. Në bazë të kalkulimeve që kanë ekzistuar, humbja financiare është rreth një milion në vit nga ky shërbim. Qeveria duhet të jetë e vëmendshme që ta subvencionojë këtë shërbim. Aspekti tjetër është kalimi i disa shërbimeve shtetërore te posta, siç i kanë vendet e rajonit.
“Epoka e re”: Çfarë shërbimesh?
Hoxha: Për shembull, bartjen e aplikimeve të dokumentacioneve të ndryshme, bartjen e dokumenteve zyrtare siç janë pasaportat dhe dokumentet e tjera. Pastaj kryerja e disa pagesave shtetërore janë një varg shërbimesh që qeveria e vendit mund t’i kalojë te Posta e Kosovës. Sa i përket Telekomit, mendoj se qeveria duhet të vijë me një strategji konkrete se si ta nxjerrë nga kriza financiare. Telekomi kishte disa probleme në të kaluarën, si ndalja e investimeve kapitale në fazën kur teknologjia avanconte, pastaj ka pasur moskujdes në shpenzimet operative, shpenzimet e marketingut dhe të tjera. Të gjitha këto kanë bërë që të futet në krizë të thellë financiare. Mendoj se qeveria shumë shpejt do të vijë me një plan konkret dhe punëtorët që punojnë aty ta vërejnë sa më pak këtë çështje.
“Epoka e re”: Z. Hoxha, ka zëra që edhe PDK-ja do të bëhet pjesë e qeverisë Hoti. A është diskutuar kjo çështje brenda strukturave të PDK-së pasi ju jeni edhe kryetar i degës së kësaj partie në Drenas?
Hoxha: PDK-ja që nga shpallja e zgjedhjeve ka dhënë shembullin më të mirë në rajon dhe Evropë. Ju e keni parë Veselin, i cili ende pa u shpallur rezultatet ka dalë në konferencë për media dhe e ka pranuar humbjen. Ky qëndrim i liderit është përshëndetur nga të gjithë, duke përfshirë edhe shoqërinë civile. Deri më tani e kemi pasur mundësinë që të jemi parti në pushtet, por nuk kemi dashur. Ne kemi dashur që të reflektojmë si parti opozitare dhe të dëshmojmë që jemi për shtetin dhe qytetarët edhe pse jemi në opozitë. Në kuadër të pyetjes së shtruar ju, ne e kemi parë në media një lajm të tillë, por nuk është temë që është diskutuar në grupin parlamentar. Kjo temë më shumë është çështje që është përfolur në media dhe nga analistë politikë.
“Epoka e re”: Nga këndvështrimi juaj, a duhet të ketë zgjedhje në këtë kohë?
Hoxha: Jemi në një situatë të rëndë pandemike me të cilën Kosova është kapluar më shumë se çdo vend tjetër në rajon. Qëndrimi ynë ishte edhe atëherë se, po të mos ishte pandemia, ne do të duhej të shkonim në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi mendojmë se qeveria aktuale dhe ajo e kaluar janë treguar të paafta për t’u përballur me situatën e krijuar.
Intervistoi: Albulena S. MAVRAJ