Qiellori Bekim

30 janar 2022 | 09:16

Naime Beqiraj

 Rreth librit me poezi “Engjëlli blu” të Bekim Lumit, botuar pas vdekjes së autorit nga “Multimedia”, Prishtinë, 2021

 Para se të bëhej regjisor, Bekim Lumi ishte recitues. Dekla­monte poezi në shkollë fillore, në gjimnaz. Kur erdhi në stu­dime ishte bërë recitues i njohur. Por ai nuk mjaftohej vetëm me recitim, as atëherë kur me zërin e kadifenjtë dhe ndjenjën që i përcillte vargjet krijonte miniskena me publik përreth dhe vargje që nganjëherë shoqëroheshin me tinguj kitare, që admi­roheshin nga të rinjtë, sidomos nga studentët.

Bekimi shkruante poezi, po rrallë, ose kur i shkruante i linte mënjanë, thuajse i ruante edhe nga vetvetja. Më shumë i pël­qente të deklamonte vargjet e të tjerëve, veçanërisht autorëve shqiptarë; t’u organizonte përurime. E të gjitha ata që e kanë dëgjuar Bekimin kur deklamonte asokohe poezi, shprehnin mendimin se vargjet silleshin me një dritë tjetër, plot energji e tinguj, mbase edhe më bukur se sa vetë aktorët.

E në vitet kur po binte perdja e hekurt e komunizmit në trojet arbërore, Bekimi organizonte tribuna e debate, intervi­sta skenike e mbrëmje letrare në të cilat promovonte letërsinë moderne. Në të gjithë këto ngjarje që i praronte dora e tij, ndihej fryma e regjisë e deri në milimetra shenjohej lëvizja e artistëve dhe e krijuesve në ambientet skenike, sidomos në Sallën e Kuqe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prish­tinës.

Por këto ngjarje nuk zgjatën. Ambientet po mbylleshin për publikun, lexuesit e letërsinë shqipe. Kafenetë nuk ishin zgjidhje. Poezia e mirë po krijohej gjithnjë e më rrallë. Bekimi zgjodhi të studionte regjinë e teatrit në Tiranë. Ne që e njihnim, beso­nim shumë që do të zhvillohej si regjisor. Në një vizitë që i bëra në Tiranë në pranverën e vitit 1993, e pashë një Bekim tjetër. Tërësisht të dhënë pas teatrit. Nuk e ngacmova për poezinë. E lashë ta merrte malli vetvetiu për të. Por ai ishte thelluar edhe në shkrim. Më vonë e kuptova.

Përveç në teatër ku mbetet gjeneral i papensionuar, Lumi ka lënë gjurmë në jetën letrare e kulturore të shqiptarëve, duke e përfshirë këtu shkrimin, mësimdhënien në regji, pastaj publi­cistikën, diskursin shkrimor e studimor e deri te gazetaria e kulturës dhe intervistat me krijues në një radio ndërkombë­tare, si dhe revista Loja të cilën e themeloi vetë. Nervi i paza­konshëm edhe për disiplina të tjera artistike nuk e pajisnin me aksesorë, por e thellonin krijuesin e disiplinuar, të informuar e të talentuar.

Engjëlli blu, të parin e të fundit me poezi që e la në dorë­shkrim, Beka edhe kur krijonte vargje, mjetet shprehëse poeti­ke i shihte me gjuhën skenike.

Është autor thuajse vizual. Ai përdor ngjyrat, dritat, kom­pozicionin, lojën, mizanskenën, në fund të gjitha i vesh me kostume, ose i zhvesh deri në detaje origjinale edhe skajet e kostumeve – atribueset që shfaqen në poezitë e këtij libri.

 Ajri, sfidë shiut dhe Engjëllit blu

 Artist në lëvizje, kurorë e të cilave mbeti vokacioni i regji­sorit, Bekimi herët u shoqërua me poezinë. Ky art i hollë nuk ishte ndalesë. Ishte shoqëruese maratonike siç shoqëron ajri, ai i domosdoshmi për vrapime të gjata, të pandala dhe komunikon nga skena edhe atëherë kur bota poetike ngjizet si lirikë e hollë. E poezia, ky art filigranist të cilën e kishte për zemër krahas teatrit, thyhet si mejtim e i drejtohet qiellit dhe thellohet me të. Engjëlli i tij është i kaltër (por Bekimi e shkruan blu), ndërkaq shiu i kësaj poezie merr epitete: (i mërzitshmi, i tejdukshmi, i pangjyrshmi, i lagshti, i ujti, i pikshmi, i qullti), ose në një poezi tjetër: çon ateherë dashni shiu. Ndonëse për feno­menin shi, për atmosferën shi, për shoqëruesin shi, janë shkruar vargje nga poetët e të gjitha kombeve, edhe nga poetët shqip­tarë, ky variant mes figurinash shiu nuk njihet të jetë thurur në asnjë fjali të vetme. Të shtatat janë diskurs origjinal i Lumit, kurse pas tyre ai thur gjendje të pikave të shiut si në akuarel të cilat i quan pikëza. Ato marrin trajtën e interpretimit, vijnë: të pasqyrta, të befshme dhe me ngjyrim bardh e zi si në filmat alla Çaplin.

Figura e engjëllit blu diskursohet me figura të zgjedhura me kujdes e me gjuhë të sofistikuar. Shprehjet antitetike: i pikon, i mvrejtun, i trembun, i drojtun, i ambël i këputun, në shkallët e mermerta i mbledhun krruspull; pastaj gjetje të rralla figurash: si ‘i carrok i braktisun; dhe tjetra: me sytë e ullinjtë turbullue nga andrrat e l’byrta; mandej: ‘i shkrepëse pa zjarm dhe figura tjetër krahasuese n’trishtim ma t’zi se korbi i Edgar Allan Poe-së, – Engjëlli blu, fluturon përtej pamjes, rrëfimit edhe atëherë kur rrëfen. Ai është klasik edhe kur ndez tema urbane; ai është modern edhe kur e shenjon traditën.

Më shumë se sa parimësinë e të ndjekurit të teorive letrare, të shkollave letrare, të figuracionit, Lumi ka ndjekur vijuesh­mërinë e parimit estetik. I mbushur poezi, dikur si recitues i autorëve klasikë e modernë, Bekimi poezinë e shihte si mbushje. Mandej edhe dijet e pakufishme që i kishte gjatë punës si profesor i regjisë dhe regjisor në teatër, shigjetuan një poezi klasifikisht skenike, dhe atëherë kur datat e shenjuara në fund të poezive, na lënë të kuptojmë që pjesa më e madhe e këtyre vargjeve janë shkruar gjatë periudhës së studimeve në Tiranë.

Nâna drithëruese

I mësuar me secilin segment ku e përplas jeta, arti i Bekimit nuk është asnjëherë tentativë. Epokat e zhvillimeve nuk shpjegohen vetëm qark një etje. E brenda këtij boshti është Nâna. Madje një nga shfaqjet e tij të fundit ishte për Nânën. Ndërsa në poezitë e librit, figura e Nânës në poezinë e Lumit vjen jo vetëm si eçtim. Ajo është gërshet i thurur me stil ku fjalët në pesë vargje përbirohen të ndërtuara me shpërfytyrim situatash të papritur me fletë malli e petale diskursi për djalin student në Tiranë që nuk e kishte parë Nanën një kohë të gjatë:

 U eçtova

Krejt detin e piva

Më zuni malli

Nanë

Sa i kripun ky loti yt

Brigjet e mungesës për Nanën që s’e kishte parë me vite, Lumi i skalit me fuqinë e përmallit plot frymëzim. Kur e thellon leximin e këtyre vargjeve të vijnë para ato të krijuara një shekull para nga Jesenini – Letër Nënës. Me gjithë se bartin plot nota mallimi brenda saj, nuk ndihet ndikim i vargjeve të Jeseninit, por atmosfera e merakut të birit për Nënën që po moçmohet larg syve të tij, ndihet fuqishëm mes vargjeve. Ato vargje nga Lumi duket se e vazhdojnë jetën e mallimit post hum, kur autori i vargjeve të rinisë nuk është më dhe mallimi i Nënës vazhdon fuqishëm po aq sa në poezi stuhinë duke marrë herë-herë edhe trajta ligjërimi.

Pas mallit të prajshëm që gërryen në vargjet e mësipërme, poezia Of Nanë, që nga titulli, ngjitet mbi klithma, ndërtohet ngjitas ekspresivitetit. Kjo poezi e tipit bisedor është lexim i mëtejshëm i mallit për qenin Nânë e cila te Lumi vjen edhe si mall sipëror, kuptim i thellë e herë-herë si përulësi me kast përballë mungesës. Mandej vjen falja e në klithmë Nâna bëhet Nanloke:

 Of Nanë

Pashë Zotin m’fal Nanloke

Edhe k’saj here

Si bojaxhi i keq që jam

Flok’t me gëlqere te bardhë mërzie t’i ngjyrosa

Kjo dhimbje mungese e mbarsur, kjo goditje emocionale, kjo metaforë vizuale, rrit mbi vete fajësinë e asaj që Lumi nuk e shenjon si brishje të harresës, as lutje për të, por kulm të klithmës. Edhe poezia Dorasit e luleve është po ajo krijesë që i shëmbëllen thjeshtësisë, e në pikëzimin tematik është e ndry­shme me apokrife. Në këtë krijim, sikurse disa nga poezitë e tjera të Lumit, vargu i jep atribute befasuese vargut para­rëndës:
Me thikë jo

As me revole

Me dorë

Vrasin

Dorasit e luleve

Pentagrami biblik

Segment origjinal i poezisë midis dy kopertinash të Engjëllit blu janë poezitë e ndërtuara mbi pentagram biblik. Lumi e ka njohur mirë Biblën, ka frekuentuar bashkësi ungjillore kudo ku ka jetuar, madje zëri i tij është regjistruar si kolanë leximore biblike të variantit gegë para dy dekadash në ShBA.

Në poezitë frymëzim nga Bibla, ai lidhjen e bën me trungun e një toke që është përjetim i tij, si të poezia Libri i Zanafillës:

 Në fillim shtatë shtrigat morën

Lotin

Gjakun

Thikën

Dhe me to krijuen nji gadishull

Me emnin Ballkan

I futën frymën e urrejtjes

Dhe gadishulli nisi

Me vdekë

Krijimi që e përball urrejtjen brenda tekstit poetik, shkon përtej Frymës Biblike duke ndërtuar kështu një koncept të pasur poetik ku përfshin edhe personazhin jashtëbiblik të Gilgameshit, e bashkë me të ndërton ndërlidhjen e dy kodeve letrare, që të dyja të papërmbytura në rrugëtim e në kërkim të urtisë. Por e pathëna ndeshet në vargun e vetëm lirik, në fund të vjershës Përmbytja:

 kur Hyji shpalli lajmin e

përmbytjes në arkën e noes u futën të

gjithë gilgameshi u fut në barkën e

utnapishtimit si mëkatar e notar i

keq që jam në detin e

syve tu sall unë

u mbyta

Lutja Biblike e Lumit vazhdon me krijimin tjetër të këtij cikli, në triptikun Shujta Atdhetare. Ndryshe nga të tjerat, vijë­zimi biblik në këtë triptik është lutje shqiptare drejtuar Zotit. Ndërkaq poezia apokrife i ndesh notat e tekstit biblik me ato të tekstit poetik përballë të cilave përbirohet thjeshtësia e krijimit:

të shtatën ditë të Krijimit

Hyji nuk pushoi

por në çehren e vet

maroi lulet

Cikli i poezive biblike, sa është përshpirtje po aq është i dukshëm si diskurs modern. Gjuha si qendër e si pikëpamje është kërkuese, e natyrshme, kurse detaji deri në milimetër, shfaq vështrim e jo zbukurim, pra del më e gjerë, më e lehtësuar e më pak figurativ. Vargjet si këto sjellin ritëm dhe muzikalitet, ndryshe nga puna e regjisorit plot thyerje e lojë që ta ndalin frymën. Prandaj, ngjyrimi që u shfaq në poezitë midis dy kopertinash, sjell komunikim drithërues.

Filigranisti i gjuhës

Bekim Lumi është mjeshtër. Fuqia shijehollë e skenës së tij fillimin e ka pasur në artin më të hollë – poezinë. Gjuha e Bekimit nuk është e zakonshmja. As nuk është pushim i vogël i mendimit. Askund në libër nuk ndeshim zbehtësi fjalësh, zbehtësi mendimesh, por shquajmë togfjalëshat e përsosur, të cilët u japin pikëza vargjeve pikëza drite: vorr pa penxhere, nektar shtrigash, vdekje ekzakte, ‘lteri i qiellës, lot vajtojcash, supe akrepash. Ai ua vë pikën vargjeve që ndriçojnë skuta, si:

-heronjtë vetëm djathtas vdesin;

-flok’t me gëlqere te bardhë mërzie t’i ngjyrosa;

-kur çon dorë me e hjekë krejet plisin;

-tue rrjedhë ashtu përallshëm;

-çadrat e urrejtjes i hapin njerëzit;

-bebëzat e synit ia peshkojnë me grep;

-siç var degët shelgu i vajtimit;

-emnin tand nder dhambë e kafshova;

-zjarminë e ballit sipri ty ta hodha;

-gurë varresh pa emën mbetën cungjet;

-buzën ia shkrumojnë t’ligat e ujit.

Segment tjetër i gjuhës poetike është gegnishtja e librit. Bekimi ka qenë përherë bir i gegnishtes, duke i perceptuar artet te bukuria e gjuhës. Besonte edhe atëherë kur gjuha e poezive Buzët e Evropës dhe Sytë e Evropës është më sarkastike dhe ekspresive sesa e poezive të tjera. Ai nuk e vesh frakun më të ri kur merr rrugët e kontinentit të vjetër me një regjistër të ndryshëm emocioni të cilin si reagim e shfaq gjuha e librit.

Poezia nuk është teatër, as si perceptim, as si madhësi. Prandaj, i vetëdijshëm që shpërthimi poetik është më sublim, më minimalist sesa i teatrit, Lumi i lidh fjalët e shpërthimit me penj të hollë, asi të padukshëm, por të fortë. Gjuha teatrale në këtë libër është e kthyer së prapthi, për të mos thënë është e përmbysur duke mos lejuar që puna e tij e përditshme, puna e tij e përnatshme – teatri, të mos i prekë fijet e mbështetjes karshi poezisë. Me gjuhë poetike ai nuk i kundërvihet teatrit, as nuk e zbërthen atë. Ai luan me gjuhën dhe e bën atë përtej së qenit poetike. Dhe e gjen të bëftë, befasisht të beftë.

Engjëlli blu nuk ndeshim parakalim vargjesh, parakalim figurash, as gjendjesh. Vargjet e as gjendjet nuk janë të holluara me substancë tjetër. Ato nuk lexohen të përfshira si nëntekst. Testamentin poetik Lumi e quan Testament, me mbështjellje nënteksti:

 jo ditën e vdekjes

mbi rrasë të vorrit

ma shkrueni ditën

që u mërgova

Këto vargje midis dy kopertinash libri janë vetëm disa nga pikëshikimet artistike të Bekimit për të krijuar një lëvizje artistike pak ndryshe nga klima e tij me skenën apo kur i ikën personazhi si mosshfaqje e qëllimtë. E shfaqjet e tij teatrore, duke u kthyer rishtas te gjeneza, ato vazhdojnë të kujtohen, të paktën nga ky brez po e po. Shkolla e tij regjisoriale do të vazhdojë të mbetet ajo që e la; e fuqishme, minimaliste, krea­tive. Mungon vetëm Lumi.

I sfiduar konvencionesh, i rikthyer me librin e parë dhe të vetëm poetik Engjëlli blu, Lumi në këtë krijim ndërton poezi pa pasur para saj asnjë model pasqyrimi. I ka mjaftuar frymë­zimi, shija e hollë dhe gjuha.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bazuar në raportet e datës 30 janar 2022 nga klinikat…