Qindra kriminelë serbë që sollën shumë vdekje e shumë dhimbje në Ballkan, vazhdojnë të enden të lirë

11 korrik 2022 | 11:16

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkruar për 27-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, ku mbi 8 mijë djem, burra e pleq u ekzekutuan në harkun e pesë ditëve, në aktin më të tmerrshëm të gjenocidit që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Në këtë projeksion tragjik, të planifikuar e çnjerëzor, shumë nëna u lanë pa fëmijë, motra pa vëllezër, vajza pa baballarë – e një regjion i tërë pa burra. Kriminelët serb, të udhëhequr nga kasapi Ratko Mladiç, nuk kishin kursyer as fëmijët e gratë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shkruar se: “Vajza e familjes Muhiç, e lindur më 13 korrik 1995 dhe Saha Izmirliç, e lindur më 1901, janë viktimat më të reja, respektivisht më të vjetra, të gjetura në varrezën masive të Potoçarit”.

Krasniqi ka theksuar se i njëjti mentalitet sistematik, i orkestruar e gjakatar serb, i ngritur mbi vdekjet e përndjekjet, me karakter të pastër gjenocidal e duke mos kursyer askënd, u realizua edhe në Kosovë më 1998-99.

“Fatkeqësisht, qindra kriminelë serbë që sollën shumë vdekje e shumë dhimbje në Ballkan, vazhdojnë të enden të lirë, pa marrë asnjëherë dënimin e merituar. Asnjëherë nuk do të harrojmë – asnjëherë të mos përsëritet! #Srebrenica”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 500 çifte dasmat e të cilëve ishin anuluar  për…