Qitësja shqiptare Manjola Konini mbyll aventurën në Lojërat Olimpike
Qitësja shqiptare Manjola Konini ka mbyllur aventurën e saj në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Ajo mori pjesë në disiplinën 25 metra pistoletë rapid dhe preçizion. Në këtë garë ajo u klasifikua në vendin e 37-të mes 40 konkurrenteve, duke mos hyrë dot mes 8 finalisteve, që do të vijojnë garën për zonën e medaljeve.
Konini, fillimisht garoi në disiplinën e preçizionit, ku grumbulloi 278 pikë. Në tri raundet e kësaj gare ajo arriti 94 pikë, 94 pikë dhe 90 pikë. Më pas, qitësja shqiptare garoi në disiplinën rapid, ku bëri një paraqitje më të mirë, teksa grumbulloi 291 pikë. Në tri raundet e kësaj gare ajo arriti 97 pikë, 96 pikë dhe 98 pikë.
Në total, Konini e mbylli garën e saj me 569 pikë, duke mos u kualifikuar dot për në finalen e kësaj disiplinë. Kjo ishte gara e dytë e qitëses kuqezi në këtë Olimpiadë, pas asaj 10 metra pistoletë ajri, ku sërish mbeti jashtë finales.