QKMF-ja në Mitrovicë përfiton 5 000 euro donacion nga “Ipko”
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë “Ipko”, Arianit Duraku, me të cilin ka biseduar për shtrirjen e rrjetit të kësaj kompanie edhe në fshatrat e Mitrovicës.
Pastaj kryetari Bahtiri i shoqëruar me drejtoreshën e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani dhe përfaqësuesit e kompanisë “Ipko”, kanë vazhduar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë, ku kompania në fjalë ka dhuruar një donacion me vlerë 5 000 euro për repartin e Pediatrisë.
Me këtë rast kryetari Bahtiri ka falënderuar kompaninë “Ipko” për dhurimin e këtij donacioni dhe bashkëpunimin e mirëfilltë që e kanë ndër vite me ta, duke e vlerësuar donacionin si shumë të dobishëm dhe të mirëseardhur sepse është në të mirë të fëmijëve që do të mjekohen në repart.
Po ashtu edhe drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj-Barani, e falënderoi kompaninë “Ipko” për këtë donacion duke vlerësuar lartë rëndësinë e këtyre pajisjeve, të cilat stafit të kësaj qendre do t’i ndihmojnë jashtëzakonisht shumë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore më cilësore.
Ndërsa drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylejmani, ka thënë se ndihma nga kjo kompani ka qenë e mirëseardhur për pediatrinë. Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i kompanisë “Ipko”, Arianit Duraku, ka thënë se një donacion i tillë është realizuar në 20 komuna të Kosovës.
/Epoka e re/