QKMF-ja në Prishtinë ofron shërbime falas të mamografisë
Për të shënuar 8 marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe bashkëpunim me Klinikën e Radiologjisë në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) do të fillojnë fushatën sensibilizuese “Zbulimi i hershëm-Mbijetesë”.
“Nga dita e premte, 8 mars, deri në fund të muajit mars, çdo ditë, prej orës 08:00 -14:00, në hapësirat e QKMF-së do të ofrohen shërbime falas të mamografisë së gjirit për grate dhe vajzat mbi moshën 40 vjet. Sjellim në vëmendje se 1 nga 8 gra diagnostikohet gjatë jetës me kancer të gjirit. Mbi moshën 50 vjeç, rastet janë më të shpeshta. Mbrojtja më e mirë është zbulimi i hershëm”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.
Sipas këtij njoftimi, Komuna e Prishtinës ka ftuar gratë dhe vajzat që t’i bashkohen kësaj fushate.
“Mamografia është një metodë e përshtatshme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Në një mamografi bëhen të dukshme edhe tumoret më të vegjël shumë më parë se të jenë të ndjeshëm me të prekur ose të njihen nga simptomat e tjera. Ftojmë gratë dhe vajzat që të na bashkohen në këtë fushatë dhe të informohen sa më mirë për këtë sëmundje, dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm të saj”, është theksuar në këtë njoftim të Komunës së Prishtinës.
/Epoka e re/