QKMF-së në Podujevë i dhurohen aparate për oksigjen
Sot është bërë pranimi i tetë koncentratorëve për oksigjen nga shoqata “Islamic Relief Kosova” për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.
Në pranimin e donacionit ishte i pranishëm drejtori i Financave, njëherit i autorizuar edhe si drejtor i Shëndetësisë, Fatlum Osmani dhe kryemjeku i QKMF-së, Bajram Bajgora.
Drejtori Osmani gjatë pranimit të donacionit tha se këto aparatura për oksigjen janë shumë moderne dhe shumë të nevojshme për QKMF-në dhe ambulantat. “Siç e kuptova këto aparatura janë më të avancuara sesa ato që i kemi aktualisht si dhe mund të përdoren për dy pacientë”, ka thënë Osmani.
Ai ka falënderuar shoqatën “Islamic Relief Kosova” në emër të Komunës së Podujevës dhe shprehu gatishmërinë e plotë të institucionit të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.