QKRMT-ja e quan të ngutshëm ratifikimin e marrëveshjes me Danimarkën për burgjet
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) e ka vlerësuar të ngutshme ratifikimin e marrëveshjes me Danimarkën për burgjet, në Kuvendin e Kosovës.
Sipas QKRMT-së ka pasur mungesë të debatit publik lidhur me marrëveshjen, përkatësisht zbatimin e saj dhe efektet në praktikë.
“Përveç mungesës së debatit në Kuvend, për këtë marrëveshje nuk është organizuar nga institucionet qeveritare asnjë diskutim me ekspertët e fushës, shoqërinë civile apo organizatat e të drejtave të njeriut. I vetmi diskutim për këtë Marrëveshje është organizuar nga QKRMT-ja në vitin 2022, ku në prezantimet e tyre ekspertët ndërkombëtar i patën paraqitur sfidat eventuale në zbatimin e kësaj marrëveshje”, është thënë në reagimin e kësaj qendre.
QKRMT-ja ka theksuar se aktualisht në burgun e Gjilanit gjendet rreth 200 të burgosur, të cilët me rastin e ratifikimit të kësaj Marrëveshje duhet të zhvendosen në burgjet e tjera.
“Sistemi korrektues në Kosovë momentalisht nuk ka hapësira të veçanta për vendosjen e të paraburgosurve, Qendrat e Paraburgimit në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë janë pothuajse të mbushura me të paraburgosur dhe aktualisht nuk ka vende të lira. Andaj, zhvendosja e të paraburgosurve nga Burgu i Gjilanit, duhet të bëhet me kujdes të veçantë në mënyrë që mos të bjerë standardi i ndërtuar ndër vite për vendosjen e të paraburgosurve”, është thënë në reagimin e QKRMT-së.
Së fundmi, komiteti i OKB-së kundër torturës ka shprehur shqetësim e saj në raport me këtë marrëveshje duke vënë në spikamë rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut, nëse të burgosurit transferohen për të vuajtur dënimin nga Danimarka në Kosovë.
“QKRMT-ja konsideron se institucionet e Kosovës së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë punuar shumë për të përmirësuar kushtet e burgjeve dhe për ta afruar atë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe për këtë arsye duhet me kujdes të veçantë të fillojë zbatimi i kësaj marrëveshje”, është thënë në këtë reagim.
QKRMT-ja i ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë, që fillimisht të bëjë zgjidhjen e duhur për vendosjen e të burgosurve që aktualisht gjenden në curgun e Gjilanit, në mënyrë që vendosja dhe trajtimi i tyre të jetë në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.
Po ashtu, QKRMT-ja i ka bërë thirrje që të ruhen standardet e krijuara dhe mos të lejohet që të krijohen standarde të dyfishte të kushteve të të burgosurve brenda Republikës së Kosovës.
QKRMT-ja, gjithashtu ka kërkuar nga institucionet që organizatave të shoqërisë civile t’u mundësohet monitorimi i të drejtave të njeriut në burgun e Gjilanit, ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka, me qëllim garantimin e aplikimit të standardeve dhe rregullave ndërkombëtare për personat e privuar nga liria.