QKRMT me letër të hapur: Monumenti ‘Heroinat’ të ketë mbrojtje ligjore
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) i ka dërguar letër të hapur kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Në këtë letër kërkohet mbrojtja dhe mirëmbajtja e monumentit “Heroinat” në Prishtinë, kjo pasi ky monument aktualisht nuk është pjesë e listës së trashëgimisë kulturore për mbrojtje.
“Theksojmë zëshëm dhe bindshëm se Heroinat është vlerë përkujtimore e rëndësishme e historisë së fundit në Kosovë”, thuhet në këtë letër, pasi “ky monument nderon kontributin dhe sakrificën e gjithashnme të grave gjatë kohës së luftës 1998-1999 si dhe të rreth 20 mijë grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë kësaj lufte”.
“QKRMT dhe organizatat që mbështesin këtë letër të hapur apelojnë ndërmarrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen ligjore dhe mirëmbajtjen e këtij monumenti të rëndësishëm”, përfundon letra.