
QKSGJ: Gratë e komuniteteve, më të diskriminuarat në vendin e punës
Gratë e komunitetit rom, ashkali, egjiptian dhe nga komuniteti LGBTQI, janë ato që po diskriminohen më së shumti në vendet e tyre të punës, duke u përballur me sfida sa i përket punësimit të qëndrueshëm, u tha të mërkurën në publikimin e dokumentit “Diskriminimi gjinor në tregun e punës në Kosovë” nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.
Autorja e raportit, Lavdi Zymberi, tha se në këto komunitete është hasur edhe ngacmimi seksual në vendin e punës, dhe që nuk është raportuar, sipas saj, për shkak të frikës nga largimi i punës, raporton KP.
“Sipas gjetjeve tona, edhe nga raporti edhe grupi i fokusuar, ato tregojnë se shumë gra, sidomos gratë që vijnë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ose nga komuniteti LGBTQI por edhe ato që kanë aftësi të kufizuara, përballen me shumë sfida sa i përket punësimit, sidomos atij të qëndrueshëm por edhe trajtim të barabartë në vend të punës. Komunitetet, ngacmimin seksual e kanë përmendur shumë që ekziston në vendin e punës, megjithatë nuk raportohet aq sa duhet shkaku i frikës nga ndëshkimi”, tha Zymberi.
Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e QKSGJ, Luljeta Demolli shtoi se institucionet e vendit, me vite të tëra nuk kanë përkushtim maksimal për të luftuar diskriminimin gjinor në punë, dhe për krijimin e ligjit të ri të punës.
“Ka vite që institucionet tona nuk kanë një përkushtim maksimal dhe nuk e kanë marrë asnjëherë përsipër që ta krijojnë një ligj të ri të punës dhe ta adresojnë çështjet në mënyrë më urgjente. Qytetarët e Kosovës tashmë njohin shtetet e Evropës, e dinë sa mirë është kur je punëtor, në kuptimin që të drejtat janë të mbrojtura dhe do të donim që një frymë e tillë të jetë edhe në Kosovë, në ligjet tona”, shtoi Demolli.
Ky dokument i pozicionimit është realizuar me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes projektit “Avancimi i barazisë gjinore dhe diversitetit përmes eliminimit të diskriminimit me bazë gjinore në vendin e punës”, i zbatuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet.