QKSS-ja del me raport rreth largimit të pjesëtarëve serbë nga FSK-ja
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar një dokument me një përmbledhje të rrjedhës së ngjarjeve rreth largimit të pjesëtarëve serbë nga Forca për Sigurinë e Kosovës (FSK).
Në kuadër të këtij dokumenti, QKSS-ja ka dalë me disa rekomandime me qëllim që të njëjtat t’i shërbejnë krijimit të qëndrueshmërisë në procesin e integrimit të komunitetit serb në FSK.
Sipas QKSS-së, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare në Kosovë duhet të bëjnë plan për të parandaluar largimin tutje të pjesëtarëve të FSK-së, dhe shtetet e Quint-it duhet të kushtëzojnë Serbinë në kontekst të integrimit në BE lidhur me veprimtarinë e saj të vazhdueshme në dëm të FSK-së dhe institucioneve të tjera.
Gjithashtu, QKSS-ja i ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës të fokusohet në një proces të tranzicionit te FSK-së nëpërmjet ndryshimeve të ligjit, meqë sipas QKSS-së tani janë humbur shpresat se procesi i ndryshimeve kushtetuese mund të jetësohet.
“Mungesa e besimit të pjesëtarëve të këtij komuniteti karshi FSK-së, mospërkrahja e ndryshimit të mandatit të kësaj force si dhe kërcënimet e vazhdueshme dhe sulmet direkte ndaj pjesëtarëve serb të FSK-së, kanë shtyrë që në vitin 2018 mbi 60 pjesëtarë të këtij komuniteti të largohen nga FSK”, thuhet në raport.
/Epoka e re/