QKSS-ja: FSK-ja, institucioni më i besueshëm nga qytetarët
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin “Perceptimet publike për besimin, korrupsionin dhe integritetin e institucioneve publike në Kosovë” për vitin 2022.
Forca e Sigurisë së Kosovës është renditur si institucioni më i besueshëm jo vetëm në sektorin e sigurisë, por edhe në krahasim me institucionet në kuadër të sektorëve të tjerë.
83 për qind e të anketuarve kanë shprehur besim apo besim të plotë në FSK-në.
Institucioni tjetër që gëzon nivel të lartë besimi është Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave me 73 për qind të të anketuarve që kanë shprehur besim ose besim të plotë.
Policia e Kosovës është renditur në vendin e tretë në mesin e institucioneve të perceptuara më pozitivisht nga të anketuarit, me 72 për qind që kanë shprehur besim apo besim të plotë në këtë institucion. Presidenca e Kosovës në këtë raport del se është institucioni i nivelit qendror me besueshmërinë më lartë prej 59 për qind të të anketuarve që kanë shprehur besim ose besim të plotë. Ndërsa Qeveria e Kosovës në këtë raport ka marrë vetëm 34 për qind të besimit të të anketuarve, teksa 46 për qind e tyre kanë deklaruar se kanë pak besim ose nuk kanë besim fare.