QKSS-ja: Ka ulje të frikës nga ekstremizmi i dhunshëm, si kërcënim i brendshëm
Në raportin e fundit të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, “Barometri kosovarë i sigurisë”, thuhet se është vërejtur ulje prej 5% në numrin e të anketuarve që kanë listuar ekstremizmin e dhunshëm si kërcënim të madh të brendshëm.
Hulumtuesja e kësaj qendre, Donika Marku, tha se të anketuarit rrezikun më të madh e shohin nga Serbia.
“Rreth kërcënimeve të cilat i kanosen Kosovës, qytetarët kanë pasur mundësinë që përmes pyetjeve të hapura të shprehen më gjerësisht se çka ata e shohin si kërcënim dhe si rreziqe në pyetjet e hapura të anketuarit më së shumti i janë referuar Serbisë si rrezikut më të madh duke lidhur këtu dialogun me Serbinë, tensionet në arenën ndërkombëtare, duke vazhduar kështu me korrupsionin, krimin e organizuar, përplasjet politike. Ndërsa në pyetjet e mbyllura, qytetarët kanë radhitur korrupsionin, papunësinë dhe krimin e organizuar si tri kërcënimet më të larta duke shprehur kështu shqetësim edhe për kërcënime të tjera, mirëpo në një nivel pak më të ulët”, thuhet në këtë hulumtim.
Ndërsa, në lidhje me matjen e besueshmërisë ndaj institucioneve kryesore të Kosovës, ato të sigurisë dhe të drejtësisë, në raport thuhet se rreth 65.7% e njerëzve nuk i besojnë Kuvendit të Kosovës, gjithashtu me rreth 65.7% janë shprehur se nuk i besojnë Qeverisë së Kosovës.
Besimin më të madh qytetarët e Kosovës ia kushtojnë FSK-së, me rreth 77.7%.
Në gjetjet e këtij raporti gjithashtu thuhet se besimi i qytetarëve të Kosovës ndaj institucioneve ndërkombëtare, KFOR-i mbetet një prej mekanizmave më të besueshëm me rreth 68%, kurse EULEX-i mbetet në nivelin më të ulët të besimit.