QKSS-ja: Qytetarët thonë se ShBA-të janë partneri kryesor strategjik i Kosovës
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot edicionin special të Barometrit Kosovar të Sigurisë me perceptimet mbi politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë.
Sipas të dhënave të këtij barometri, ndër të gjitha vendet e renditura në pyetësor, Shqipëria perceptohet si vendi më miqësor ndaj Kosovës, partner dhe aleat kryesor strategjik në politikën e jashtme nga 86.4 për qind e respodentëve.
Kroacia është renditur si partneri i dytë rajonal strategjik për Kosovën pas Shqipërisë.
Kjo vërteton edhe një herë faktin se kosovarët e perceptojnë Kroacinë si aleatin kryesor brenda BE-së.
Maqedonia ka shënuar rezultatin më të lartë në tre vitet e fundit, pothuajse gjysma e të anketuarve, 50 për qind e konsiderojnë atë si vend mik.
Gjysma e të anketuarve, 48.1 për qind besojnë se Mali i Zi është një partner strategjik miqësor për Kosovën.
Bosnja dhe Hercegovina (BeH) është parë pozitivisht nga rreth 36 për qind e perceptojnë atë si një vend mik.
Mbi 85 për qind e të anketuarve e konsiderojnë Serbinë si një vend shumë armiqësor ndaj Kosovës.
Përveç kësaj, Serbia konsiderohet si kërcënimi më i madh për sigurinë e jashtme për Kosovën.
Një shumicë e madhe e të anketuarve, rreth 86 për qind besojnë fuqishëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) janë partneri kryesor strategjik për Kosovën.
Për më tepër të anketuarit janë deklaruar haptazi në favor të përfshirjes së ShBA në procesin e dialogut me Serbinë.
Gjermania është renditur në krye të të gjitha vendeve të BE-së, me 89.6 për qind të të anketuarve që perceptojnë Gjermaninë si aleatin kryesor strategjik brenda BE-së.
Rreth 70 për qind e qytetarëve të anketuar besojnë se Turqia është një partner miqësor ndaj Kosovës.
Mbretëria e Bashkuar është parë nga prizmi pozitiv prej 80 për qind të të anketuarve.
Franca është perceptuar kryesisht neutrale.
Rreth 80 për qind e respodentëve perceptojnë Rusinë si një vend shumë armiqësor ndaj Kosovës.
/Epoka e re/