QKUK-ja bëhet me 300 shtretër të rinj
Qendrës Klinike Universitare të Kosovës sot i janë dorëzuar 300 shtretërit e parë nga kontingjenti prej 750 sish, të cilët janë blerë për klinikat e saj.
Në dorëzimin e këtij kontingjenti, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka thënë se ka qenë nevojë e kamotshme blerja e shtretërve të rinj, pasi që disa nga shtretërit në QKUK nuk janë ndërruar me dekada të tëra.
“750 shtretër modern të pajisur me dyshekë për klinikat e QKUK-së. Kohës kur qytetarët tanë janë shtrirë në shtretër të vitit 1980 e të mbajtur nga blloqet, dërrasat dhe dyshekët e stërvjetëruar i erdhi fundi. Sot dorëzuam vetëm kontingjentin e parë prej 300 shtretërve për të siguruar qëndrim të dinjitetshëm qytetarëve tanë nëpër klinikat e QKUK-së”, ka thënë ministri Ismaili.
Më tej, ai shtoi se ky është vetëm kontingjenti i parë dhe se në vitin 2019 do të blihen edhe shtretër të tjerë edhe për Spitalet e Përgjithshme.
Kurse, drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se me ardhjen e këtyre shtretërve do të përmirësohet qëndrimi i qytetarëve tanë nëpër klinikat e QKUK-së.
“Blerja e shtretërve të rinj do të përmirësoj hospitalizimin e qytetarëve tanë, i cili deri më sot nuk ka qenë në nivelin më të mirë”, ka thënë ai.
Nga 750 shtretër të cilët kanë vlerën prej 1.3 milion euro, 300 prej tyre janë me tri thyerje, 100 me katër thyerje, 15 shtretër janë me katër thyerje për Ortopedi, 20 shtretër janë transportues dhe 300 të tjerë mekanik.
/Epoka e re/