QKUK-ja jep detaje për gjendjen e të lënduarve nga aksidenti në Veternik: Njëri në gjendje të rëndë
QKUK ka njoftuar se pas orës një, të mesnatës, 5 persona kanë kërkuar trajtim emergjent mjekësor, në kuadër të Klinikës Emergjente, në QKUK, si pasojë e aksidentit në trafik që ndodhi në Veternik.
“Ekipet mjekësore në përbërje të mjekëve emergjent, mjekëve të klinikave tjera dhe të infermierëve menjëherë kanë ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor. Edhe përkundër përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, njëri nga të aksidentuarit që ka ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore, ka ndërruar jetë. Një tjetër i aksidentuar vazhdon të jetë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe është transferuar për trajtim të mëtejmë në Mjekimin Intensiv Qendror-QKUK”, theksohet në njoftim.
Më tej bëhet me dije se dy të aksidentuar të tjerë po vazhdojnë trajtimin mjekësor, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Torkale dhe tjetri në atë të Neurokirurgjisë.
Ndërkaq një person pas ndihmës dhe trajtimit emergjent mjekësor është liruar për në shtëpi.