QKUK-ja: Kryhet rasti i parë në Kosovë në ‘stroke center’, pacientit i shpëtohet jeta dhe invaliditeti

19 mars 2020 | 13:14

Për herë të parë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Klinika e Radiologjisë, është realizuar heqja e gjakut të ngjizur në arterien e trurit në mënyrë mekanike (trombektomia mekanike e M2 segmentit të arteries cerebri media majtas) me metodë radiologjike neurointervente minimale invazive.

Realizimi i kësaj metode është bërë pas investimeve në “Stroke Center”, trajnimeve të stafit dhe blerjes së materialit që ka bërë menaxhmenti i ShSKSUK-së, i udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm, Basri Sejdiu dhe me përkrahje dhe nga Ministria e Shëndetësisë.

“Procedura u krye pa komplikime, tek pacienti mashkull i moshës 62 vjeç, i cili kishte dorën e palëvizshme dhe këmbën e djathtë të dobësuar, pas procedurës i është kthyer menjëherë lëvizshmëria e dorës së djathtë. Po ashtu, të folurit e humbur në tërësi, kurse pas 12 orëve nga kryerja e procedurës, pacienti ka filluar të artikuloj zë dhe lëvizë lirshëm edhe me këmbë. Kjo procedurë u mundësua si rezultat i planifikimit, projektimit, aftësimeve të realizuara në botë dhe në Zagreb Kroaci dhe bashkëpunimit ndërmjet Klinikës së Radiologjisë, Klinikë së Neurologjisë, Klinikës Emergjente dhe Klinikës e Anesteziologjisë”, ka njoftuar QKUK-ja.

Sipas këtij njoftimi, brenda 3 apo 4 orëve pas sulmit në tru, procedurën e kanë realizuar ekipi i radiologëve, dr. Bujar Gjikolli, dr. Arben Kutllovci, përkrahur nga radiologët kujdestar dr. Agron Arifi, dr. Ilir Bejta, me referimin e neurologëve kujdestar dr. Rushit Jashari, dr. Valbona Spanca e dr. Milaim Krasniqi, me asistimin e teknikëve të radiologjisë, Shekfi Bytyqi dhe Ariana Neziri.

“Klinika e Radiologjisë, është e pajisur me materiale për të plotësuar nevojat e pacientëve me infarkte në tru. Po punon në ngritjen e kapaciteteve për realizimin e tyre, kurse në proces është edhe blerja e një angiografi të avancuar për të përkrahur këto procedura në nivel bashkëkohor”, ka njoftuar QKUK-ja.

No photo description available. No photo description available.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari Robert Berisha është futur në karantinë. Kjo për faktin…