QKUK-ja pajiset me dhjetë ultrazë dhe llamba operative për sallat e operacionit
Gratë që kanë nevojë për kontrolle gjinekologjike, tash e tutje do të kenë më të lehtë që në kuadër të Klinikës së Gjinekologjisë t’i kryejnë këto ekzaminime, pasi kjo klinikë është pajisur me dy ultrazë modern.
Përveç kësaj klinike, me ultrazë të ri janë pajisur edhe Klinika Emergjente, ku mjekët emergjent do ta kenë më të lehtë menaxhimin e rasteve emergjente.
E shërbime më cilësore do marrin edhe foshnjat e porsalindura në Klinikën e Neonatologjisë, që po ashtu është pajisur me ultrazë, sikurse është pajisur edhe Klinika e Kirurgjisë Pediatrike.
Me ultrazë janë furnizuar edhe Klinika e Fiziatrisë, Klinika e Anestezionit, Shërbimi i Mjekësisë Nukleare, ambulancat specialistike dhe disa klinika të tjera.
Këto pajisje janë blerë pas punës intensive të menaxhmentit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i cili si prioritet të punës së saj ka renditur furnizimin me aparaturë dhe pajisje mjekësore për njësitë e SHSKUK.
Po ashtu, sallat operative të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Kirurgjisë Pediatrike janë pajisur me llamba operative që më parë kanë qenë në mungesë.
/Epoka e re/