QKUK-ja: Shpëtohet fëmija, i kishin mbetur dy kikirikë që ia bllokuan mushkërinë
Mjekët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë shpëtuar një fëmijë i cili ishte në rrezik për jetë pasi disa kikirikë i kishin bllokuar tërësisht mushkërinë e djathtë.
Drejtori i Otorinolaringologjisë (ORL), Hajdin Thaçi, bashkë me ekipin mjekësor, kanë ndërhyrë urgjentisht dhe intervenimi ka përfunduar me sukses brenda 10 minutave, ndonëse kishin paralajmëruar familjen për situatën e ndërlikuar dhe pasojat eventuale.
“Bronku i djathtë ka qenë i tëri i bllokuar, fëmija ka marrë frymë vetëm me anën e majtë. Në këtë rast, mushkëria e djathtë ka qenë tërësisht e bllokuar dhe ne në fakt kemi filluar tërheqjen një nga një të copëzave të kikirikut. Ka qenë një nga përmasat e mëdha të kikirikut, e cila e kishte bllokuar në tërësi bronkun, është dashur të thyhet dhe në e kemi heq në tërësi, kështu që fëmija menjëherë është ndjerë më mirë”, ka deklaruar Thaçi.
Sipas Thaçit, në Klinikën e Otorinolaringologjisë, deri më tash nuk ka vdekur asnjë fëmijë gjatë ndërhyrjeve kirurgjike.
Klinika e Otorinolaringologjisë ofron shërbime për të gjitha qytetet e Kosovës përfshirë edhe një pjesë të veriut të Shqipërisë.
Aty është trajtuar me sukses edhe një paciente, të cilës i kishte depërtuar një gjilpërë në rrugët e ushqimit, teksa stomatologu po trajtonte dhëmbin e saj në një ordinancë private.