QKUK-ja sqarohet për vdekjen e 23-vjeçares nga Drenasi: Vdiq nga gjakderdhja në bark
Klinika Emergjente e QKUK-së është deklaruar për vdekjen e 23-vjeçares nga Drenasi.
Në reagimin e Klinikës Emergjente është thënë se vdekja e 23-vjeçares nga fshati Zabel i Drenasit është si pasojë e hemorragjisë intraabdominale (gjakderdhje në bark), shok hemorragjik.
“Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I ( 1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqaron se pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar. Menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësor ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore”, ka njoftuar Klinika Emergjente e QKUK-së.
Sipas kësaj klinike, familjarët e viktimës kanë refuzuar obduksionin e 23-vjeçares.
“Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45. Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemorragjia intraabdominale (gjakderdhje në bark), shok hemorragjik. Familjarët kanë refuzuar abduksionin”, ka njoftuar kjo klinikë.
Ndryshe, në media sot është raportuar se familjarët e 23-vjeçares nga Drenasi kanë deklaruar se ajo ka vdekur dy ditë pasi është vaksinuar me vaksinën kundër Covidit.