QKUK, një gruaje i hiqet cista që peshonte 10 kilogramë
Një ekip mjekësor në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka kryer një operacion të komplikuar tek një grua, duke ia larguar një cist nga vezorja, e cili peshonte 10 kilogramë.
Sipas një komunikate të QKUK-së, gjatë intervenimit, pacientes i janë ruajtur organet reproduktive (mitra dhe vezorja), ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe me rekomandim të mjekut do të lirohet shumë shpejt në shtëpi.
Shef i repartit të Operativës, dr. Zef Ndrejaj, e ka përshkruar hollësisht çështjen, ndërkaq ka thënë se gjatë karrierës së tij është rasti i parë me përmasa kaq të mëdha.
“Është një tumor i vezores, faktikisht cist i vezores së djathtë. Janë raste të shpeshta, por jo në këtë përmasë , me këtë përmasë janë shumë të ralla. Prej përvojës sime 20 vjeçare, është rasti i vetëm që e kam parë me këto përmasa”, ka thënë Ndrejaj.
Operimi ka zgjatur dy orë dhe është realizuar me thikën ultrasonike (Ligashurën), një pajisje që e bën ndërhyrjen më të shpejtë e më të lehtë dhe, veç prerjes, kryen edhe qepjen, pa pasur nevojë për intervenim me penj e gjilpërë.
Klinika e Gjinekologjisë është pajisur me këtë aparaturë vitin e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK-së, me qëllim që të ofrohen shërbime më cilësore për pacientin.“Cisti e kishte mbuluar tërë hapësirën e abdomenit.
Falë aparaturës së re, operacioni ka qenë shumë i suksesshëm, më i lehtë dhe nuk kishte asnjë komplikim, ka theksuar Ndrejaj.
Pacientja me inicialet V. K kishte menduar së është shtatzënë, por pas ultrazërit gjinekologu i kishte rekomanduar operimin. Thotë se tash është mirë dhe nuk ka më dhimbje.
“Kam menduar që jam shtatzënë, se fëmijë nuk kam. Kur e kam bërë ultrazërin te gjinekologu, më ka thënë që është një cist dhe duhet të operohem, patjetër. Tash, jam operuar dhe po e ndjej vetën shumë mirë”, ka thënë V.K.
/Epoka e re/