‘QMF-ja në Bardhosh do ta ofrojë edhe shërbimin laboratorik’
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë me dije se së bashku me Izet Sadikun, drejtor i Shëndetësisë, kanë vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) të rinovuar në Bardhosh, e cila tash e tutje do të ofrojë edhe shërbimin laboratorik.
Ai ka thënë se QMF punon 12 orë në ditë.
“Jam i lumtur që tani mbi 10 mijë banorë të fshatrave Bardhosh, Trudë, Bërnicë e Epërme dhe e Poshtme do të mund të marrin shërbimet e duhura mjekësore e laboratorike në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare, pa pasur nevojë të shkojnë në qendra tjera”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Ai ka thënë se investimet e tilla ndikojnë sado pak që edhe trafiku në kryeqytet të shkarkohet e punëtorët shëndetësorë të QMF-ve në Prishtinë mos të stërngarkohen me numrin e madh të pacientëve.
Aktualisht, Rama ka thënë se janë duke i rinovuar dhjetë QMF “në mënyrë që stafit të Qendrave të Mjekësisë Familjare të ju ofrojmë kushte më të mira të punës e pacientëve ambiente më të rehatshme”.