Qorrolli: Dhuna si mjet politik
Analisti politik, Vigan Qorrolli, ka komentuar kacafytjen e mbrëmshme në mes kandidatit për deputet të koalicionit AAK-PSD, Dardan Molliqaj dhe kandidatit të LV-së për deputet, Haki Abazi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se lejuar ose jo dhuna është mjet jokonvencional i politikës për ta bërë kundërshtarin më të pasigurt në realizimin e qëllimeve të tij.
Sipas tij, ditëve dhe muajve të fundit ka shumë dhunë në Kosovë.
Postimi i plot i Qorrollit:
Dhuna si mjet politik
I lejuar ose jo dhuna është mjet jokonvencional i politikës për ta bërë kundërshtarin më të pasigurtë në realizimin e qëllimeve të tij.
Ditëve dhe muajve të fundit ka shumë dhunë në Kosovë. Do ketë deri në fund të vitit 2019, e madje edhe përtej. Dhunë verbale, psikologjike, deri tek ajo më e frikshmja, që për taksirat po u ngjan disa fytyrave publike, dhunë fizike. Rrahje, grushtime, e kanosje.
Shkencëtarët e moralit publik (politikanët) kanë merita të shumta. Më e madhja meritë është rritja e apetitit për dhunë.
Këtë e bëjnë me lot krokodili, me patriotizëm, me hipokrizi e me keqpërdorim njerëzish.
Medemek rrejnë, koketojnë dhe në fund prodhojnë dhunë politike! Nxisin rrahjen e burrave dhe grave – të patrembur nga frika e “dhunës shtetërore”: domethënë policisë, prokurorisë dhe gjykatës.
Tri palët e fundit janë në gjumë të thellë – si pasojë e kontrollit të fortë politik – që e kanë mbi krye.