Qorrolli flet për përparimet e rëndësishme në sistemin e drejtësisë, thekson funksionalizimin e Gjykatës Komerciale

30 janar 2025 | 13:23

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka marrë pjesë në debatin e organizuar nga GIZ mbi Qeverisjen e mirë dhe Sundimin e Ligjit, ku diskutoi mbi arritjet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë në reformat ligjore dhe fuqizimin e institucioneve të drejtësisë.

Të pranishëm në këtë debat ishin edhe David Oberhuber, drejtor i GIZ-it në Kosovë, Astrit Hoti nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Burbuqe Kastrati nga Lëvizja FOL, Faton Jashari nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Qorrolli theksoi përparimet e rëndësishme në sistemin e drejtësisë, duke përfshirë funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, avancimin e procesit për krijimin e Gjykatës Administrative, si dhe përmirësimin e mekanizmave për drejtësinë tranzicionale përmes Institutit për Krimet e Luftës.

Ai gjithashtu vuri në pah miratimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021-2026 e cila synon ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efikas, bazuar në katër shtylla kryesore.

Tutje, zëvendësministri Qorrolli tha se në kuadër të reformave ligjore, Ministria e Drejtësisë ka miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë dhe Paketën Ligjore Anti-korrupsion, duke përfshirë Ligjin për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Ligjin për Deklarimin e Pasurisë. Po ashtu, janë miratuar mbi 120 akte normative, 19 koncept-dokumente dhe 31 marrëveshje ndërkombëtare.

Në fund, zëvendësministri Qorrolli vlerësoi mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë GIZ-in, në fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe digjitalizimin e sistemit të drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, i njohur si “Cali”, i…