Qorrolli: Prokuroria ka bazë të kërkojë shpalljen e Listës Serbe parti jokushtetuese
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Vigan Qorrolli, ka thënë se Prokuroria e Shtetit e Kosovës, ka bazë të mjaftueshme për të kërkuar që Lista Serbe të shpallet parti jokushtetuese.
Në një postim në llogarinë e vet në “Facebook”, Qorrolli ka shkruar se “shteti i Kosovës e ka raportin zyrtar të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 6 tetorit ku thuhet troç se serbët e Kosovës janë intimiduar, shantazhuar dhe kërcënuar në mënyre që t’ia japin votën e tyre një partie të caktuar politike, në këtë rast Listës Srpska.
Postimi i plotë i tij
Shteti i Kosovës e ka raportin zyrtar të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 6 tetorit ku thuhet troç se serbët kosovarë janë intimiduar, shantazhuar dhe kërcënuar në mënyrë që t’ia japin voten e tyre një partie të caktuar politike [Lista Srpska]. Gjithashtu, votat e serbëve kosovarë që jetojnë në Serbi, janë siguruar përmes të njëjtës metod.
Prokuroria e Shtetit ka bazë të mjaftueshme juridike të inicojë hetim penal për sigurimin joligjor të këtyre votave dhe me rastin e helmimit të sotëm të ndodhur në KQZ të kerkojë pranë gjykatës kompetente shpalljen si jokushtetuese të kësaj partie politike. Kjo për shkak se Lista përveq se nuk e pranon rendin juridik tē Kosovës, e shantazhon dhe e helmon Kosovën me vrerin e Millosheviqit të viteve të 90’ta.
Për më tepër këto vota janë sjellur në Kosovë nga Zyra ndërlidhëse e Serbisë në Prishtinë krejtësisht kundërligjshëm, sepse Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, nuk e lejon votimin nëper ambasadat ose konsullatat e Kosovës. Një zyre diplomatike e huaj, si ajo serbe në Prishtinë, nuk ka tager ligjor, të bëjë bartjen e votave në mënyrë kolektive në një jurisdiksion të huaj kompetent për mbajtjen e zgjedhjeve.