
Qosja çmimit “Letërsia shqipe” ia paftë hairin siç ia kemi parë ne veprave të tij!
Berat Armagedoni
I pashë dhe i lexova mbrëmë, po i lexoj dhe po i shoh sot reagimet për dhënien e çmimit “Letërsia shqipe”, shkrimtarit Rexhep Qosja, nga juria e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e emëruar nga ministri Hajrulla Çeku. As juria, as ministri Çeku, as partia Vetëvendosje nuk e kanë shpërblyer Rexhep Qosjen për deklarata politike dhe, siç po thonë dhe po shkruajnë disa, për përkrahje politike në zgjedhjet e fundit e në vitet e fundit. Për ato që i ka shprehur tash vonë për Vetëvendosjen do të mbajë llogari morale gjithmonë. Edhe për ato që i ka shprehur në të kaluarën për partitë e tjera, të cilat e kanë “shpërblyer” shumë më shumë sesa Vetëvendosja tash, për botim të kompletit të veprës, prej mijëra eurosh, do të mbajë llogari morale. I ka të faturuara si njërën si tjetrën. Ky vend ka edhe dëshmitarë të tjerë historiko-letrarë dhe politikë. Por, çmimi “Letërsia shqipe” Rexhep Qosjes i është dhënë për arsye të meritave letrare. Të meritave të mëdha studimore, letrare, publicistike, eseistike, dramaturgjike. Motivacioni për këtë çmim do të duhej të ishte edhe më i gjatë dhe më i saktë sesa që është shkruar nga juria. Por mund të niste dhe të përfundonte edhe me një fjali prej njëzet fjalësh. Çmimin “Letërsia shqipe”, më shumë se cilido tjetër, e meriton Qosja. Cilado qeveri të ishte në pushtet, cilido ministër i cilësdo parti të ishte në krye të MKRS-së, do të koritej shumë po qe se do t’ia jepte një shkrimtari tjetër të Kosovës këtë çmim. Madje do të duhej t’ia jepnin Qosjes atë vit kur ia dhanë Kadaresë, Shala dhe Hoti (Kujtim Shala dhe zëvendësi i tij, Rexhep Hoti). Në radhë të parë, ky çmim, i themeluar nga MKRS, është çmim për shtetasit e Kosovës. Pse nuk po jep çmime të tilla për shtetasit e Kosovës, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, siç ia ka dhënë disa vjet më parë Kadaresë, Qeveria e Kosovës? Ngadalë, nuk po them që ai s’e ka merituar. Patjetër se e ka merituar. Po kujt të dytë ia kishit dhënë, nëse jo Qosjes?! Mendoni ju. Unë kam këtë mendim për të ardhshmin e të ardhshmit. Meqë ky çmim ka njëfarë rendi të hierarkisë së vlerave dhe të kontributit shkencor dhe letrar, në vitin e ardhshëm duhet t’i jepet poetit dhe studiuesit, polemistit dhe publicistit Agim Vinca. Ka dhe shumë të tjerë pas tij që meritojnë çmimin “Letërsia shqipe”. Qosja çmimit “Letërsia shqipe” ia paftë hairin siç ia kemi parë ne veprave të tij! Dhe dhjetë mijë eurot i shërbefshin gjatë!