Qosja, Paganini dhe xhungla kulturore
Shkruan: Ag Apolloni
Dje (s’e kuptoj pse jo sot) u dhanë çmimet vjetore për letërsi nga Ministria e Kulturës, çmime që jepen me rastin e Pavarësisë. Përderisa çmimet e kategorive të tjera mund t’i jepen disa herë një personi, çmimi për vepër jetësore jepet vetëm një herë, prandaj edhe kërkohet kujdes më i madh në përzgjedhjen e garuesve dhe, një kujdes maksimal në përzgjedhjen e fituesit. Por kujdesi i tillë do të duhej të fillonte nga ministri. Në mënyrë që fituesi të ndihet i nderuar, juria duhet të jetë gjithashtu e dëshmuar në fushë të letërsisë. Ku po jeton ti?, do të më thoshte ministri. Në Kosovë nuk funksionon ashtu.
Këtë vit bëra propozimin që çmimi për vepër jetësore t’i jepet shkrimtarit Rexhep Qosja. Ky propozim, mendoj, do të duhej të bëhej nga dekanja e Fakultetit të Filologjisë, por ajo lëre që nuk e shkroi, por as që e nënshkroi propozimin. Megjithatë, propozimin e nënshkroi shefi i Departamentit të Letërsisë Shqipe. Për shkak të disa vonesave dhe pengesave që bëheshin, shtëpia botuese “Bard Books” ka dërguar gjithashtu propozimin për të njëjtin shkrimtar, që, nëse nuk arrinte njëri propozim (sepse për të shkuar nga fakulteti deri te ministria duhen nja pesë minuta ecje në këmbë), të ishte tjetri si rezervë.
E vërteta është se para se ta bëja propozimin, i tregova profesor Qosjes. Ai më falënderoi për nderimin dhe më tha se s’do ta pranonte mirënjohjen (ndoshta për këtë, ministër, duhet ta shihni Rregulloren e parë dhe atë të vitit 2015). Megjithatë, përderisa nderimi është personal, ndërsa mirënjohja institucionale, e bëra propozimin dhe e dërgova. Jo pse Rexhep Qosja kishte nevojë për atë çmim, por sepse çmimi kishte nevojë për emrin e Rexhep Qosjes. Këtë provova t’ia them ministrit dhe jurisë që do të formohej (s’e dija që juria do të riciklohej) nëpërmjet atij propozimi, po kujt t’ia thuash?
Pse e propozova Rexhep Qosjen?
Vetë dhënia e përgjigjes (ashtu si edhe dhënia e arsyetimit gjatë propozimit) më duket e tepërt. Robert Elsie e ka konsideruar Rexhep Qosjen si njërin ndër kritikët më të mëdhenj të Ballkanit; Ismail Kadare (në parathënien e botimit frëngjisht të romanit “Vdekja më vjen prej syve të tillë”) shkruan: “Rexhep Qosja është shkrimtari më i madh ndër shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të vendit, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e kombit shqiptar”, ndërsa romanin e tij e quan kafkian, profetizues dhe një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare; Ibrahim Rugova thoshte se Rexhep Qosja “shpesh ka zgjidhur probleme vitale për letërsinë”, ndërsa Sabri Hamiti thotë se Rexhep Qosja e ka përmbysur realizmin socialist. Kritika franceze herë e ka quajtur Volter, herë Kafkë të Ballkanit.
Për kontributin e tij si prozator, dramaturg dhe studiues, janë thënë fjalët më të mira nga njohës të fushës. Por, ndoshta juria injoruesue ishte injorante. E shikova me vëmendje përbërjen e jurisë: dy ishin anëtarë të ricikluar nga viti i kaluar, një anëtare e përhershme e Këshillit të Librit, një mik i ministrit dhe një autore e një libri me vjersha. Pra, asnjë romancier i njohur, asnjë dramaturg dhe studiues letrar (i njohur, apo i panjohur), për ta vlerësuar romancierin, dramaturgun dhe studiuesin më të njohur të Kosovës. Ku i ke sytë, o ministër?
Në rregullore thuhet: “për vlerësimin dhe ndarjen e çmimeve ministri çdo vit formon jurinë profesionale prej pesë anëtarëve”. Ju keni bërë shkelje të rregullores, e cila ju obligon që çdo vit të formoni juri të re. Po si mund të ketë juri të re me anëtarë të vjetër (Bardhi dhe Azemi kanë qenë edhe vitin e kaluar). Gjithashtu, Bardhi është edhe kryetar i Këshillit të Bibliotekës Kombëtare, i emëruar nga ju, o ministër! Pra, do të jetë kryetar Këshilli sa t’jeni ju ministër dhe anëtar bordi derisa të largoheni ju. Kjo nuk është mirë për shëndetin e demokracisë, plus që ai ka punë të tjera si profesor në UP, akademik në AShAK, drejtor Seminari etj., dhe s’do të duhej ta mbingarkonit me punë.
Meqenëse prof. Qosja nuk është nderuar as nga AShAK (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës), as nga UP (Universiteti i Prishtinës), mendova se ju dhe juria dinjitoze (që mund të formohej), do të ishit të kënaqur me një kandidat si ai. Po ku? Në Kosovë?
Në vend se të kishim kryetar Akademie kolosin Rexhep Qosja, kemi klounin Mehmet Kraja. Në vend se të nderonim me “Doctor Honoris Causa” Rexhep Qosjen, kemi nderuar Recep Tayyip Erdogan-in. Gjithashtu, si profesori më i njohur i Fakultetit të Filologjisë, Qosja kurrë nuk është propozuar, as nderuar, me titullin “Profesor Emeritus”, as me titullin “Anëtar Nderi i UP-së”, as me “Medalje Presidenciale”. E, Rexhep Qosja në qershor i bën 88 vjet. Pra, nuk mund të themi se ende është i ri për nderime të tilla.
Rexhep Qosja ka dhënë shumë për Kosovën, por si ia ka kthyer Kosova? Duke mos e nderuar me çmime, tituj, e ndere, që janë krijuar për personalitete të tilla; duke shpifur kundër tij ndër dekada, duke ia thyer zyrën, duke ia hedhur librat në qese plehrash, duke e sharë, kërcënuar dhe sulmuar (në disa nga këto raste kam qenë dëshmitar okular) dhe, në fund, duke mos e konsideruar të denjë as për një çmim modest për vepër jetësore.
E di që Rexhep Qosja nuk bie aq poshtë sa për t’u marrë me jurinë. Siç ju thashë në fillim, ai sigurisht s’do ta pranonte atë çmim, por është puna juaj ta nderoni punën e tij. Unë vetëm desha që t’i japim fund mosmirënjohjes sonë institucionale karshi kësaj figure të madhe nacionale.
Nëpërmjet këtij mosvlerësimi ndaj veprës së Qosjes, ju, ministër, keni bërë dy gabime: 1. keni treguar se ata që punojnë shumë për letërsinë, kulturën dhe kombin, do të shpërblehen me mosmirënjohje; 2. keni rënë në kurthin e jurisë që ka dashur t’ju armiqësojë me Rexhep Qosjen, vepra e të cilit ka qenë model për shefin tuaj dhe për shumë intelektualë të brezave të ndryshëm, në Kosovë, në Shqipëri e kudo ku ka shqiptarë.
Pra, ministër, vërtet ju kanë mashtruar keq, dhe nuk jam i sigurt nëse ndonjëherë do të mund të rehabilitoheni nga pasojat e këtij kurthi. Janë pasoja etike dhe politike, që mund t’ju reflektohen edhe në zgjedhje, sepse ky çmim, ndonëse nuk ndikon te lexuesit e Rexhep Qosjes, mund të ndikojë te votuesit tuaj.
Ju do të thoni: nuk i ndava unë çmimet, por juria. Pikërisht këtu qëndron problemi, ministër. Në kundërshtim me rregulloren, ju e ricikluat jurinë.
Mos harroni: Rexhep Qosja është shkrimtar i madh, intelektual i njohur dhe strateg i Bashkimit Kombëtar, një ide me të cilën ju keni ardhur në pushtet, dhe një profesor që ka frymëzuar shumë intelektualë dhe politikanë, përfshirë edhe disa të partisë suaj.
Rexhep Qosja në Shqipëri është nderuar me titullin “Nderi i Kombit”, në Kosovë as një çmim vjetor s’ia dhatë. E, nuk njoh njeri të kulturës që ka rrezikuar më shumë se ai në mbrojtje të kulturës dhe kombit në këtë shtet.
Ti, ministër, mund ta kapësh mistrinë e t’i meremetosh të gjitha shtëpitë dhe plemet; mund të bëhesh gardian i trashëgimisë materiale por, nganjëherë, duhet të mendosh edhe për trashëgiminë shpirtërore dhe intelektuale.
Këshillë: Kthejuni themelimit të çmimit kombëtar dhe çmimeve vjetore! Shikojeni Rregulloren e parë dhe Rregulloren e vitit 2015 (qysh janë ndryshuar gjërat arbitrarisht)! Dhe, mbi të gjitha, formoni juri profesionale, se na plasët! Çfarë nderi është të të nderojë një juri e tillë?
Po e mbyll me një anekdotë: Paganini, violinisti virtuoz, u gjend në mes të xhunglës vetëm me violinën e tij. Kafshët e egra i turreshin, por ai i zbuste me tingujt e violinës. Dy majmunë në degë shikonin këtë mrekulli, derisa njëri vuri bast që luani, që po vinte me turr, do ta hante mjeshtrin. Paganini e pa luanin, dha më të mirën që mundi në violinë por, kot: luani iu hodh sipër dhe e hëngri. Majmuni që kishte vënë bast, i tha shokut: a të thashë që ky shurdhi ka me e hangër!
Morali: mos formoni juri me shurdha!