Qosja: Studimi monografik i Ilir Shaqirit përfaqëson kontribut të çmuar
Rexhep QOSJA
Punimi shkencor i Ilir Shaqirit me titullin “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë artistike të nënës” ka 200 faqe libri, burimet dhe literaturën, anketat – bashkëbisedime me tetë subjekte – burra dhe gra, gjashtë ninulla të notizuara, parashtresën, domethënë hyrjen dhe përfundimin.
Në punimin e tij “Estetika dhe semiotika në krijimtarinë artistke të nënës”, Ilir Shaqiri ka marrë në shqyrtim shumë çështje që lidhen me ninullat: me përmbajtjen e tyre, me kuptimin e tyre, me trajtat e tyre, me bukurinë e tyre, me përbërjen e tyre gjuhësore figurative, me ndikimin e besimeve të ndryshme popullore në to, me mjetet me të cilat sendërtohen ato, e të tjera.
Njëra prej çështjeve me të cilën është marrë Ilir Shaqiri është djepi. Ky mjet shumë i njohur, shumë i çmuar e shumë i dashur në jetën tradicionale e shumëkund edhe në jetën e sotme të popullit shqiptar, dhe jo vetëm të tij, është mjet shumë i lashtë, i cili e dëshmon edhe origjinën shumë të lashtë të ninullave. Ninullat, madje, mund të konsiderohen krijimet më të lashta në letërsinë popullore. Djepi mund të konsiderohet edhe mjet, i cili me formën e tij dhe me mënyrën e përdorimit të tij pashmangshëm do të ketë ndikuar në trajtën, dhe melodinë e ninullave. Duke studiuar lidhjen e ninullave me djepin autori e quan të arsyeshme, me të drejtë, të merret me bukurinë e këngëve të djepit, me kuptimin e tyre emocionalisht dhe figurativisht të shtrirë, me lidhjen e fuqishme që krijojnë ato midis nënës dhe foshnjës.
Si njëri prej interpretuesve më të mirë të këngëve shqipe, si njëri prej krijuesve të një numri të madh këngësh të bukura në frymën e këngëve popullore, si njëri prej njohësve më të mirë të melosit tonë popullor është plotësisht e kuptueshme pse Ilir Shaqiri do të shkruaj me dhunti të veçantë për vlerat artistike, për bukuritë e shumta të ninullave dhe në përgjithësi të krijimeve artistike të nënës. Me të drejtë, si ninullat ashtu edhe të gjitha këngët e nënës, ai i quan të buta, shumë përshtypjebërëse, me ritme të qeta, me gjuhë shumë përkëdhelëse. Thjeshtësia e tyre, qartësia e tyre, figurshmëria e tyre, kuptimi i tyre, dashuria e përmbajtur në to – të gjitha këto janë vlerat artistike dhe etike të tyre, që i bëjnë aq të çmuara, aq të dëshiruara, aq të studiuara prej studiuesve të letërsisë sonë popullore në përgjithësi.
Studimi i Ilir Shaqirit mbi estetikën dhe semiotikën në krijimtarinë artistike të nënës, domethënë mbi kuptimin, rolin dhe vlerën artistike të këngëve të djepit është një prej studimeve deri sot më të mira, më të plota në folkloristikën shqiptare në përgjithësi. Duke qenë interpretues shumëvjeçar i melosit popullor shqiptar, duke qenë interpretues i këtij melosi që ka vizituar po thuaj të gjitha krahinat shqiptare në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e deri te arbëreshët në Kalabri; duke qenë interpretues shumëvjeçar i melosit popullor që ketë melos e ka interpretuar edhe para shqiptarëve në botën e jashtme, para së gjithash në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Shaqiri ka arritur ta njohë përmrekulli gjithë atë krijimtari popullore që këndohet, në të vërtetë gjithë atë krijimtari shpirtërore që e shquajnë vargu, ritmi dhe melodia. Ai e njeh, e përjeton, e don këtë krijimtari. Dhe, ky përkushtim mendor dhe ndjenjor ndaj kësaj krijimtarie i ka bërë të mundshme atij që krijimet artistike të nënës t’i shohë e t’i studiojë në një mënyrë origjinale, që dallon prej studimeve të autorëve të tjerë, t’i shohë e t’i studiojë ato prej këndesh të reja dhe, rrjedhimisht, të realizojë konstatime dhe të bëjë përfundime qoftë të veçanta, qoftë të përgjithshme, që i shtojnë shumë njohuritë tona për to.
Përpos këtij origjinaliteti në trajtimin dhe në studimin e temës me të cilën është marrë, studimin e Ilir Shaqirit e shquan edhe gjuha e pasur, shprehja e përpiktë, e liruar prej fjalëve të huaja, të panevojshme, në vend të të cilave kemi fjalët tona të bukura e të kuptueshme, domethënë e shquan shprehja e pastër shqipe.
Me të gjitha vlerat e dëshmuara, me metodologjinë e zbatuar, me kulturën e përgjithshme të treguar në trajtimin e estetikës dhe semiotikës në krijimtarinë artistike të nënës, me rezultatin e arritur shkencor, mund të thuhet së studimi monografik i Ilir Shaqirit përfaqëson kontribut të çmuar, të rëndësishëm shkencor, të cilit pashmangshëm do t’i referohen të gjithë studiuesit e ardhshëm të këtyre krijimeve dhe me të cilin pasurohen shumë njohuritë tona për këto këngë.