QUARTET SOCIOLOGICA

18 maj 2018 | 10:52

ALI PAJAZITI

Termi sociologji rrjedh nga fjala latine socius (fis ose qytet aleat i Romës, më vonë, shoqëri) dhe nga ajo greke logos (arsye ose dije) dhe shënon shkencën e përgjithshme shoqërore që hulumton ligjet e ekzistencës dhe të zhvillimit të shoqërisë, proceset e jetës shoqërore. Studimi i bazës së anëtarësisë shoqërore (social membership), analizë e strukturës së marrëdhënieve shoqërore të ndërtuara nga ndërveprimi shoqëror. Sociologjia është shkencë që studion origjinën, historinë dhe ndërtimin e shoqërisë njerëzore.

Termi i shpikur nga Comte më 1839 përdoret për studimin rigoroz, të arsyeshëm të shoqërisë (M. Mann). Përqendrohet në studimin e institucioneve shoqërore, të formuara më herët dhe në ato të themeluara nga transformimet industriale të dy ose tre shekujve të fundit. Ajo përfshin ndjeshmëri historike, antropologjike dhe kritike (Giddens). Sociologjia e lindur në shekullin XIX është një këndvështrim që, duke i marrë për gjedhe shkencat bashkëkohore natyrore, synon ta shpjegojë shoqërinë moderne që ka një strukturë krejtësisht të re dhe dallon nga e kaluara nga ana cilësive epistemologjike, ekonomike, politike dhe kulturore.

Veçoria bazë, e cila këtë paradigmë e ndau nga dituritë e mëparshme që i kishin pasur për subjekt njeriun dhe shoqërinë, ishte shpjegimi i ngjarjeve shoqërore në një mënyrë mekanike, duke marrë për bazë shoqërinë moderne. Sipas sociologut amerikan Smelser, sociologjia është studim shkencor i shoqërisë dhe i marrëdhënieve sociale. Ajo mbështetet në të dhëna ose fakte nga bota reale dhe synon t’i shpjegojë ato duke përdorur shpjegimin shkencor, “duke e parë të përgjithshmen në të pjesshmen” (Macionis & Plummer). Sipas Giddensit, është doktrinë mbi jetën sociale të njerëzve, mbi grupet dhe bashkësitë.

Sociologjia është rruga e posaçme e studimit të shoqërisë njerëzore (Hurd: 1986:1) Bazë e mendimit sociologjik është ideja se shoqëria i drejton veprimet dhe zgjedhjet tona jetike. Auguste Comtei e shihte si një “doktrinë të përparimit”, si një trashëguese shekullare të teologjisë, e cila në të kaluarën ishte mbretëresha e shkencave; një “teologji e re” e pastruar nga elementet mbinatyrore të teologjisë. Sociologjia, sipas tij, duhet të ishte mbretëresha e re e shkencave. Edhe pse si ati i kësaj shkence konsiderohet Comtei, ndihmesë me vlerë kishin dhënë dy pararendës, njëri i largët, Ibën Halduni, tjetri i afërt, Saint Simoni.

Ndihmesa për zhvillimin e fushës, temës dhe metodës së sociologjisë kanë dhënë edhe E. Durkheim, G. Simmel, V. Pareto, K. Marks, M. Weber dhe të tjerë. Sociologjia eksperimentale e bazuar në studimet monografike të Le Playit, nga Amerika është përhapur anembanë botës. Por edhe përkundër një historie dyshekullore, dobishmëria e sociologjisë nuk është kuptuar ashtu siç duhet.

Disa e shohin si një disiplinë çliruese, emocionuese dhe trimëruese, si inxhinieri sociale, pa të cilën s’mund të ndërtohet ardhmëria e një shoqërie, si një disiplinë të nevojshme për çdokënd që dëshiron të ketë dituri për shoqërinë dhe ngjarjet shoqërore. Sociologjia si disiplinë e ndihmon njeriun për ta kuptuar shoqërinë njerëzore, konstruksionet sociale, praktikat dhe proceset e ndryshimit social, ndërveprimet shoqërore. Me një fjalë, dukuritë që ndodhin në konditat sociale.

Ndër çështjet me të cilat merret sociologjia janë: familja, marrëdhëniet etnike, ndryshimi shoqëror, shtresimi social, burokracia, pushteti, lëvizjet fetare, devijimi – listë kjo shumë e gjatë e çështjeve prej të cilave lindin edhe nëndisiplinat sociologjike, si sociologjia e kulturës, e fesë, e politikës, e së drejtës, e familjes, urbane, e artit, e historisë, e sportit, e modës etj. Në vazhdim do të shtjellojmë katër nëndisiplina sociologjike: sociologjinë e dijes, të moralit, të kohës së lirë dhe atë të modës.

 

  1. Sociologjia e dijes (ang. sociology of knowledge, wissenssoziologie), degë e sociologjisë që merret me studimin e proceseve të përfshira në prodhimin e dijes, me kuptimin dhe shpjegimin e njohurive në rastet e veçanta si dhe me raportet ndërmjet formave të përgjithshme të dijes dhe të strukturës sociale, përfshirë këtu edhe efektet e dijes e të forcave shoqërore që e kushtëzojnë trajtën dhe përmbajtjen e dijes. Sociologjia e dijes i qaset konceptit në kuptimin më të gjerë: ajo përfshin gjithçka që një bashkësi e caktuar e kupton për dituri, pra jo vetëm njohuritë shkencore e filozofike (Shushnjiq). Sipas Sismondsit, sociologjia e dijes është me rëndësi qendrore për shkencat shoqërore, si metodë hermeneutike që merret jo me kërkimin e së vërtetës shkencore, por me interpretimin e kuptimit shoqëror. Pavarësisht prej epistemologjisë, kjo disiplinë “mundësinë e njohjes” e vë në kllapa, me fjalë të tjera, nuk merret me spekulime epistemologjike. Dihet se iluminizmi shkencave sociale ua diktonte programin për zhvillimin e një metodologjie të bazuar në të vërtetën e amshueshme dhe përftimin e ligjeve shkencore në bazë të metodës së shkencave natyrore. Detyra e veçimit të dijes së vërtetë nga dija e jo e vërtetë, e veçimit të dijes autentike nga paragjykimet historike, e formimit të një koncepti rreth natyrës dhe funksionimit të paragjykimeve i takon sociologjisë së dijes. Detyrë tjetër e sociologjisë së dijes është hulumtimi i mënyrës përmes së cilës faktorët e ndryshëm historikë dhe kulturorë e kanë formësuar, mjegulluar e shtrembëruar mendimin njerëzor. Që nga lindja e vet sociologjia e dijes i ka qëndruar besnike parimit të kërkimit të së vërtetës shkencore duke i përcaktuar edhe ato që pararendësi i kësaj disipline i ka quajtur “idhuj” që e rrethojnë mendjen e njeriut. Sociologjia e dijes e mohon prerazi konceptin iluminist për të vërtetën, ofron një projekt që e kapërcen dogmatizmin pozitivist-humanist. Kjo sociologji thelbin e shkencave sociale e përkufizon kështu: Shqyrtimi i lidhjes mes mendimit njerëzor dhe jetës shoqërore. Nëse si kriter që e përcakton praktikën e sociologjisë së dijes merret dallimi mes dijes së pastër dhe asaj të shtrembëruar, atëherë rrënjët e kësaj disipline arrijnë deri te vepra e Vicosë Shkenca e re, deri te ajo e Montesqueiusë Shpirti i ligjeve. Janë veprat e Max Schelerit dhe ato të Karl Manheimit ato që tregojnë fillimin e sociologjisë më sistematike të dijes. Në qarkun e sociologjisë së dijes mund të përfshihen edhe Marksi, Comtei, i cili është munduar të ndërtojë një shkencë për shoqërinë, Durkheimi si dhe Weberi, i cili shpalosi “sëmundjen metodologjike” të shkencave sociale. (Shih: Hekman, 1986; Šušnjić, 2005: 13)

 

  1. Sociologjia e moralit (sociology of moral), disiplinë sociologjike që merret me institucionin e moralit si një hartë jetësore për sjelljet e njerëzve, si tërësi normash që tregojnë të mirën dhe të keqen, gjithherë duke synuar udhëzimin e njeriut nga e mira dhe e pëlqyeshmja dhe largimin e tij nga e keqja dhe sjelljet johumane. Sociologjia e moralit përbën një sferë të lidhur me sociologjinë e fesë dhe me atë juridike, sepse koncepti i moralit është i lidhur ngushtë me fenë dhe me botëkuptimet etike. Themelet e kësaj disipline i kanë vënë sociologët francezë, Durkheim dhe nxënësi i tij Lévy-Bruhl. Durkheimi në veprën Ligjërata nga sociologjia (Leçons de sociologie) e përcakton lëndën e sociologjisë së moralit si studim i lidhjeve mes moralit dhe shoqërisë, studim i mënyrës se si morali zbatohet në shoqëri. Sipas tij, detyra e shkencës mbi moralin (fizika e karakterit dhe e së drejtës), gjegjësisht e sociologjisë së moralit është shpjegimi i mënyrës se si këto norma kanë lindur, shkaqet që i kanë sjellë, përshkrimi dhe vlerësimi i dukurisë së moralit. Durkheimi shton se sociologjia e moralit duhet të jetë shkencë tipike shkakësore si, p. sh., fizika, dhe për këtë arsye e quan fizikë morale. Sipas Lévy-Bruhlit, sociologjia e moralit, të cilën e barazon me shkencën mbi moralin, duhet t’i verifikojë ligjet shkakësore me të cilat do të shpjegohet, duhet t’i përshkruajë refleksionet morale pozitive të shoqërive të periudhave të ndryshme kohore. Për Gurvitchin lënda e sociologjisë së moralit është studimi i lidhjeve mes moralit dhe dukurive shoqërore, kontekst ky në të cilin të rëndësishme janë lidhjet funksionale e jo ato shkakësore. Sipas tij, kjo sociologji e veçantë merret me këto çështje: llojet e moralit në grupet gjegjëse shoqërore, raporti mes sistemeve të jetës morale dhe grupeve shoqërore në të cilat këto sisteme trajtësohen, raporti mes moralit dhe normave të tjera shoqërore, raporti mes shoqërisë dhe doktrinave morale ose filozofive të moralit dhe studimi gjenetik i tij (lindja, ndryshimi dhe ndikimi i tij në shoqëri). Subjekt i sociologjisë së moralit janë koncepti i moralit, proceset morale si lindja, zbatimi, zhvillimi i normave morale në kontekstin social, baza (jo)shoqërore dhe funksioni i moralit, niveli i përputhjes mes sjelljeve të njerëzve dhe normave morale, marrëdhëniet mes traditave dhe strukturës shoqërore, dallimet në konceptimin e moralit në kuadër të grupeve dhe klasave të ndryshme shoqërore, llojet e moralit, ndikimi i transformimeve shoqërore në pikëpamjet e njerëzve ndaj moralit etj. Morali është dukuri e ndërlikuar, që ka dimensionin shoqëror dhe përmasat e tjera. Sociologjia s’mund ta studiojë atë në tërësinë e vet, por vetëm aspektin shoqëror të tij, pra ndikimin e shoqërisë në moral dhe të moralit në shoqëri (Özkalp, 1986: 17; Lukiq, 1976: 15-17).

 

  • Sociologjia e kohës së lirë (sociology of leisure) paraqet një prej degëve më të reja të sociologjisë që, siç shprehet J. Fichteri, merret me njërin prej institucioneve shoqërore themeltare: koha e lirë, pushimi dhe zbavitja. Sociologjia e kohës së lirë merret me mënyrën se si njerëzit e kalojnë kohën e lirë, me marrëdhëniet e krijuara gjatë kësaj kohe, me veprimtaritë që zhvillohen jashtë kohës së punës. Shfrytëzimi i kohës së lirë, që përbën një të drejtë universale njerëzore, sanksionuar me ligje shtetërore, është një mënyrë e ripërfitimit të energjisë për veprimtaritë e ndryshme shoqërore. Kësaj disipline sociologjike i është kushtuar shumë pak kujdes. Sipas Parkerit dhe Giddensit, shkaqet janë vështirësia e zbatimit të metodave shkencore në fushën e kohës së lirë, perceptimi i kohës së lirë si e parëndësishme apo si veprimtari dytësore, madje edhe si burim i të gjitha të këqijave, si antipod i zellshmërisë dhe punës (Tezcan, 1994: 11).

 

  1. Sociologjia e modës (sociology of fashion), degë e sociologjisë që ka si objekt studimi modën, qëndrimin e grupeve dhe të turmave shoqërore rreth modës dhe ligjësitë e veçanta që përcaktojnë zhvillimin dhe evoluimin e modës. Trajton faktorët e përgjithshëm shoqërorë (ekonomikë-prodhues) dhe ata të veçantë, që janë të lidhur me psikologjinë shoqërore (proceset e imitimit etj.), elementet estetike dhe krijuese në fushën e modës. Shumica e hulumtimeve rreth modës kanë të bëjnë me veshjen, por Aspers argumenton se nuk ka korniza të fushave që duhet t’i kufizojnë teoritë e modës. Sociologjia e modës kap një spektër të gjerë të çështjeve: moda si fakt shoqëror, evolucioni i modës, sjellja dhe moda, tradita, feja dhe moda, përcaktimi shoqëror-klasor dhe moda, nevojat, prestigji shoqëror dhe moda, përhapja e modës, inovacionet dhe moda, snobizmi dhe moda, erotizmi dhe moda, koha e lirë dhe moda, arti dhe moda, personaliteti dhe moda, bartësit e zhvillimit të modës etj. R. Königu thotë se sociologjia e modës është pjesë e sociologjisë së turmave dhe psikologjisë sociale, kurse sociologu amerikan Leslie White modën e përfshin në kuadër të shkencës mbi kulturën (kulturologjisë) (Aspers, 2013: 171-192).

 

Përfundim

 

Të dhënat empirike flasin se në shkencën shqiptare këto nëndegë të sociologjisë nuk janë në qendër të vëmendjes, se nuk trajtohen si duhet, nuk “lëvrohen” me seriozitet dhe se nuk janë zhvilluar në nivelin e duhur për t’i kontribuar kulturës sonë shkencore dhe të mirës kolektive. Ekzistojnë shumë pak tekste autoriale që me sfond akademik dhe me metodologji të mirëfilltë trajtojnë problematika që kanë të bëjnë me këtë kuartet. Edhe sondazhet me shkollarë dhe studentë e vërtetojnë deficitaritetin e njohurive për këto nëndisiplina. Andaj duhet që nëpër kurrikulat universitare dhe katedrat e sociologjisë të përfshihen lëndë dhe module që mundësojnë të kuptuarit e këtyre subjekteve shkencore me peshë si për teorinë, po ashtu edhe për praktikumin sociologjik. Kultura sociologjike e një populli nuk mund të mbindërtohet vetëm mbi gjashtë a shtatë disiplina klasike; duhet të zhvillohen edhe syresh si këto katër të përmendurat, madje edhe krejtësisht të reja si sociologjia vizuale, e streseve të jetës, e terrorizmit e të ngjashme.

(Marrë nga numri i dytë i revistës për kulturë, gjuhë dhe media, “Akademia”)

 

Literatura:

Aspers, Patrik, “Sociology of Fashion: Order and Change”, në Annual Review of Sociology, 39:171-192, korrik 2013

Hekman, Susan, Hermeneutics and the Sociology of Knowledge, University of Notre Dame Press, 1986

Llukiq, Radomir, Filozofia e së drejtës, shqipëroi dhe përshtati Osman Ismaili, Prishtinë, 2008

Özkalp, Enver, Sosyolojiye Giriş Dersleri, T. C. A. Ü., Eskişehir, 1986

Pajaziti, Ali, Fjalor i sociologjisë, botimi i dytë, Logos-A, Shkup, 2017

Smelser, Neil, Theory of Collective Behaviour, Free Pres, New York, 1962

Šušnjić, Djuro, Metodologija, botimi i tretë, Čigoja Štampa, Beograd, 2005

Tezcan, Mahmut, Boş Zamanların Değerlendirilmesi Sosyolojisi, Atilla Kitabevi, Ankara, 1994

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka realizuar urdhëresën për sekuestrim…