Queven shkëlqeu ndaj Dukagjinit, rrëmben çmimin ‘Ylli i javës’
Edicioni i ri futbollistik në Albi Mall Superligë ka filluar në fundjavë, kurse Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, do të ndajnë çmimin “Ylli i javës” edhe këtë edicion kampional. Për javën e parë ky çmim në elitë i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Queven Da Silva Inacio.
Për xhiron e parë vlerësimin e më të mirit e kanë bërë Komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Avni Shala, Shyqri Salihu dhe Lulzim Berisha. Komisioni në fjalë vendosi që ky çmim t’i takojë Inacios, pasi ai realizoi dy gola, duke qenë më meritori që Ballkani nisi edicionin e ri me fitore ndaj Dukagjinit të Klinës (2-0). Pasi mori këtë çmim, Da Silva Inacio u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës.
“Së pari, do të doja të falënderoja Zotin për këtë mundësi që të jem këtu dhe gjithashtu ekipin tim, sepse pa ata asgjë nga kjo nuk do të ishte e mundur. Po punojmë shumë për të arritur qëllimin tonë. Kemi ligën që ka nisur dje dhe qëllimi ynë është të bëhemi sërish kampionë. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe përfaqësoj Ballkanin, këtë ekip të madh që ka një peshë të madhe në futbollin e Kosovës”, ka thënë Da Silva për faqen zyrtare të FFK-së. “Do të luftojmë deri në fund dhe do të punojmë gjithmonë për të qenë në majë. Në lidhje me trofeun, jam shumë i lumtur. Pas një kohe të gjatë që shumë gjëra ndodhën me mua. Shumë njerëz nuk e dinë, por kam kaluar kohë të vështira. Por Zoti është i madh dhe ai di gjithçka. Prandaj, jam mirënjohës për gjithçka dhe puna nuk ndalet”, ka shtuar Queven Da Silva Inacio.