Quint-i dhe BE-ja kritikojnë Kosovën për refuzimin e vizitës të patriarkut serb
Ambasadat e Shteteve të Quint-it dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë kritikuar Kosovën për refuzimin e kërkesës për vizitë të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, dhe të disa priftërinjve të tjerë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës më 13 maj e ka arsyetuar vendimin për refuzimin e kërkesës për qëndrim në Kosovë të patriarkut serb.
Kjo ministri ka thënë se vizita të tilla nuk do të lejohen derisa “Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve tanë shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes”.
Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar më 14 maj se është Kosova që ka shkelur marrëveshjen për vizita zyrtare, të arritur në dialogun për normalizimin e raporteve, pasi sipas tij, vizita e Porfirijes ishte paralajmëruar te autoritetet e Kosovës, ashtu siç kërkohet me marrëveshje.
“Duke ia refuzuar hyrjen atij, Qeveria e Kosovës jo vetëm që e ka shkelur Marrëveshjen e vitit 2014 për vizita zyrtare, por në mënyrë të ashpër e ka injoruar edhe rëndësinë që ka Kisha Ortodokse Serbe për një pjesë të qytetarëve të Kosovës dhe kjo shkon kundër parimeve themelore të një shoqërie shumetnike, tolerante dhe demokratike”, ka thënë Stano.
Ndërsa përmes një deklarate të përbashkët, ambasadat e shteteve të Quint-it – Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shteteve e Bashkuara – dhe Zyra e BE-së në Kosovë shprehën shqetësim për refuzimin e vizitës së Porfirijes.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me nenet e Planit të Ahtisaarit, ku përcaktohen qartë të drejtat, privilegjet dhe imuniteti për klerin e Kishës Ortodokse Serbe dhe po ashtu nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës që dalin nga dialogu që ndërmjetësohet nga BE-ja”, është thënë në reagim.
Quint-i ka thënë se pret që Qeveria e Kosovës të përmbushë standardet më të larta të të drejtave të njeriut, si në kornizën e saj ligjore, por po ashtu e dhe përmes veprimeve të saj.
“Ne vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje palëve që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente”, ka thënë Quint-i .
Një ditë më herët, i ashtuquajturi shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, që njëherësh është kryenegociator i Serbisë në dialogun me Kosovën, ka thënë se Porfirije ishte nisur të hënën drejt Kosovës për të marrë pjesë në Kuvendin e Shenjtë të Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Serbe në Patriarkanën e Pejës, ditën e martë.
Ai ka thënë se Zyra Ndërlidhëse e Beogradit, në përputhje me marrëveshjet dhe procedurat valide, e ka dërguar njoftimin për planet e vizitës në Pejë.
Gjatë një konference për media në Bruksel më 14 maj, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se në rundin e ri të dialogut, që mbahet më 15 maj, ndonëse ka një agjendë specifike, parasheh që të ngrihet edhe çështja e refuzimit të kërkesës për vizitë në Kosovë të kreut të Kishës Ortodokse serbe.
Ndryshe, në fillim të majit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ia kishte refuzuar kërkesën për vizitë edhe Petar Petkoviqit, duke mos dhënë arsye për një vendim të tillë.
Edhe më herët, Kosova ka refuzuar kërkesat e parashtruara nga Petkoviq për të zhvilluar vizita, duke thënë se refuzimi ishte për shkak të “deklaratave provokuese”.
Ndërsa në janar të këtij viti, Serbia ia refuzoi kërkesën për vizitë ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai kishte planifikuar që të vizitonte komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë të banuara me shqiptarë.
Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet përmes një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato.