QUINT-i dhe BE-ja të shqetësuara me vendimin e MINT-it ndaj Klanit: Presim proces të drejtë ligjor

28 korrik 2023 | 21:30

Shtetet e QUINT-it kanë reaguar pas vendimit të sotëm të MINT-it duke thënë se shprehin shqetësimin e tyre të thellë me vendimin e sotëm që konfirmon pezullimin e certifikatës së biznesit të biznesit të Klan Kosovës.

Në reagim thuhet se shtetet e QUINT-it janë të shqetësuara se heqja e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional, që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë.

“Revokimi i licencës së çdo medie është një hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës”, thuhet në reagim.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e ka hedhur poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat, më 28 korrik.

Më 14 qershor Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ngriti kallëzimi penal ndaj Shoqërisë Tregtare, Klan Kosova.

Kallëzimi penal u ngrit me “pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve vendosi të premten se Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

Vendimi i Komisionit e përmbyll këtë rast brenda Ministrisë, ndërsa pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente, njoftoi MINT të premten.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas vendimi për pezullimin e çertifikatës, Rozeta Hajdari cytë policinë…