Quint-i i zhgënjyer me vendimin e Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve të Serbisë
Shtetet e Quint-it kanë shprehur zhgënjimin e tyre me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, të caktuara më 3 prill.
“Përderisa ne e vlerësojmë qasjen e Serbisë për të gjetur zgjidhje, me zhgënjim të madh ne shohin vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të prezantuar nga Quint-i”, është thënë në deklaratën e Quint-it.
Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin për parimin e mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe anëtarët e grupeve të minoriteteve”, thuhet në deklaratë.
Sipas Quint-it, “kjo sjellje e Qeverisë së Kosovës nuk është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e saj evropiane”.
Quint-i po ashtu i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente.
“Ne presim nga Qeveria e Kosovës që të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë në uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ky proces është kritik në arritjen e përparimit drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim, që përfundimisht do të zhbllokonte perspektivën evropiane të Kosovës”, është thënë në deklaratën e Quint-it.
Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i dërgojë kërkesë ekzekutivit kosovar për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe, që mbahen më 3 prill.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se me këtë kërkesë, Kosova ka kërkuar që Serbia ta njohë pavarësinë e saj.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka kërkuar që të ketë marrëveshje mes dy qeverive për mbajtjen e zgjedhjeve.
Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.