Qumështarët do të subvencionohen me 25 për qind të vlerës së produkteve që kanë në stoqe
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka pritur të premten në një takim drejtuesit e Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës. Krasniqi ka bërë me dije se kanë diskutuar për problemet e tyre që janë shfaqur si pasojë e pandemisë, raporton “Epoka e re”.
Ai ka treguar se do të bëhet edhe ekzekutimi i mjeteve të subvencionimit prej 25 për qind të vlerës së produkteve që kanë në stoqe.
“Prita sot në një takim drejtuesit e Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës. Bashkë diskutuam për problemet e tyre që janë shfaqur si pasojë e pandemisë. I njoftova për raportin që është përgatitur nga komisioni i formuar nga MTI-ja lidhur me stoqet që prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit kanë nëpër depo. Në bazë të të dhënave që janë paraqitur në raport do të bëhet edhe ekzekutimi i mjeteve të subvencionimit prej 25 për qind të vlerës së produkteve që kanë në stoqe”, ka thënë pas takimit ministri Krasniqi.