Qumështarët: Nuk jemi trajtuar seriozisht, pas dy-tri ditësh dalim në rrugë
Kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Qumështit, Ramadan Memaj, ka paralajmëruar protesta të fermerëve në ditët në vijim. Ai ka paralajmëruar edhe bllokim të rrugëve gjithandej Kosovës. Ai ka thënë se veprimi i vetëm i përgjegjshëm është largimi i produkteve me vaj të palmës. “Ne mendojmë se veprimi i vetëm i përgjegjshëm dhe kompatibil me situatën e krijuar, është largimi i produkteve të tilla sa më shpejt që është e mundur”, ka deklaruar Memaj për “Interaktiv” në KTV. “Për fat të keq, kemi ardhur në një situatë kur ka filluar qumështi të derdhet, nuk është reaguar me kohë përkundër riinsistimit tonë të vazhdueshëm që t’i paraprihet kësaj, pasi ishim të sigurt se do të vijë te kjo gjendje. Nuk jemi marrë seriozisht, nuk jemi trajtuar seriozisht”, ka deklaruar Memaj.
Ai ka thënë se fermerët nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga protestat. “Sot e keni parë një protestë që nuk ka qenë aq masive, por ditët e ardhshme mund të shihni bllokim të rrugëve gjithandej Kosovës nëpër komuna, ku fermerët do të dalin me të gjitha mjetet bujqësore për ta shprehur revoltën e pakënaqësinë. Shpresoj të mos arrij deri te kjo, por ata insistojnë se kjo të ndodhë shumë shpejt, në dy-tri ditët e ardhshme. Por shpresoj dhe besoj se tanimë Qeveria e Kosovës do ta marrë seriozisht gjendjen e krijuar, do të bashkëpunojë me ne ta gjejmë zgjidhje të përbashkët e të mos lejojmë gjithë ky investim të shkojë dëm dhe të cenohet shëndeti i konsumatorëve”.