Quni: Asnjë pretendues i territorit të Kosovës s’duhet kryqëzuar shpatat me FSK-në
Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Anton Quni, ka thënë se dërgimi i pjesëtarëve të FSK-së në misionin e parë paqeruajtës jashtë vendit do të thotë se Kosova mori një mesazh të fuqishëm se ka një forcë të besueshme dhe së cilës mund t’i bartet përgjegjësi.
Quni tha se kjo ngjarje ishte emocion i veçantë për të edhe si një ish-komandant i UÇK-së dhe për të gjithë ata që janë të lidhur ngushtë me uniformën, njofton Klan Kosova.
“Për të gjithë ata djem dhe vajza që ishin pjesëtarë të UÇK-së dhe që vazhdojnë të qëndrojnë në uniformën e FSK-së është një përjetim i veçantë, por edhe për gjeneratat e reja. Veteranët kur i kujtojnë momentet me gjithë ato kufizimet që i kemi pasë tani arrijmë në një fazë kur ne jemi të konsoliduar mirë, të pajisur mirë dhe me këto kapacitete tona mund t’i shërbejmë paqes kudo që kërkohet”.
Quni gjithashtu tha se ndihet mirë që po e përfundon mandatin me një të arritur që është pjesë e historisë moderne.
“Pasardhësi im do të gjejë një konsolidim të mirë të projekteve dhe të planeve. Çdo njëri prej pjesëtarëve është i vlerësuar dhe i testuar dhe ne kemi besimin e plotë që këta djem dhe vajza me sukses do të kryejnë misionin”.
A janë të rrezikuar pjesëtarët e FSK-së në misionin e tyre paqeruajtës në Kuvajt?
“Në aspektin profesional unë i kam pranuar të gjithë faktorët ndikues që mund të rrezikojnë jetën e çdo pjesëtari dhe misionit në tërësi dhe janë marrë masa që këto rreziqe të minimizohen”.
Ministri në detyrë në emisionin “Sytë 7” ka thënë se FSK-ja ka krejt kapacitetet e nevojshme për t’i bërë ballë rreziqeve të mundshme.
“Nga momenti që janë miratuar tri ligjet në Parlamentin e Kosovës menjëherë është filluar me implementimin e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, i cili në vitin 2028 duhet të sigurojë që FSK i ka krejt kapacitet e nevojshme dhe është e gatshme të ballafaqohet me çdo lloj rreziku që do t’i kanoset Kosovës, duke filluar nga agresionet konvencionale deri te sulmet hibride, kibernetike dhe të tjera. Deri në vitin 2028 jam më së i bindur se asnjë pretendues i territoreve të Kosovës nuk do t’i lejojë vetes të bëjë ndonjë aventurë që të kryqëzojë shpatat me FSK-në”, ka thënë ministri Quni.