Quni: FSK-ja ka përmbushur detyrat në procesin e transformimit
Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se FSK-ja i ka përmbushur me sukses të gjitha objektivat vjetore.
Në ceremoninë për shënimin e Ditës së FSK-së, Quni ka vlerësuar se pjesëtarët e FSK-së kanë arritur rezultate konkrete në menaxhim të resurseve njerëzore, arsimit, mbështetjes logjistike, transparencës dhe llogaridhënies. “Pas 9 vitesh angazhimesh të mëdha për avancimin e FSK së, arritëm ta legjitimojmë dhe kurorëzojmë forcën më mandat ushtarak. Krah me aleatët tanë nisëm transformimin e Forcës. Sot me krenari përkundër sfidave me pandemisë FSK ka arritur të përbush detyrat e saj. Ne do të vazhdojmë të kemi në fokus politikat integruese e mosdiskriminuese. Në këtë ditë të veçantë shpreh falënderim për kontribut të ushtarakëve për angazhimin e tyre. Besojmë fuqishëm se partneriteti me vendet e NATO-s do të vazhdojë”, ka deklaruar Quni.
Ai ka shtuar se do të vazhdohet me politika integruese duke qenë të hapur për të gjitha komunitetet. “Jam plotësisht i vetëdijshëm se përkundër të arriturave, mbetet ende për t`u bërë. Kam besim të plotë se të gjithë pjesëtarët e FSK-së do t’i vazhdojnë përpjekjet për t`i realizuar objektivat. Kam besim të plotë se FSK-ja do të vazhdojë të jetë model i suksesit për këtë gjeneratë dhe histori suksesi për gjeneratat e ardhshme”, ka deklaruar Quni.