Quni: Ndeshja me Malin e Zi është moment i rëndësishëm
Pivoti Luigj Quni e vlerëson të rëndësishme ndeshjen me Malin e Zi. Quni është kthyer në Përfaqësuesen e Kosovës në hendboll pasi mungoi në dy ndeshjet me Bosnjë-Hercegovinën.
Lojtari luftarak mungoi për shkak të një lëndimi, të cilin e ka sanuar plotësisht. Kosova luan me Malin e Zi të enjten prej orës 20:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ndeshja i takon kualifikimeve për “Euro 2024”.
“Gjatë viteve të fundit jemi përmirësuar vazhdimisht. Dhe këtë e tregon fakti që presioni për ndeshjet me kundërshtarë të caktuar është me të drejtë më i lartë. Kjo ndodhë pasi pritshmëritë janë më të larta në vendin tonë”, ka thënë Quni, që ka kompletuar një tjetër edicion të suksesshëm në Superligën e Zvicrës. Ai është pjesë e skuadrës Amicitia Zuerich.
“Ndeshja në shtëpi kundër Malit të Zi është një moment i rëndësishëm për ne, për zhvillimin tonë të mëtejmë. Kjo përfshinë përgatitjen taktike, mendore dhe fizike për kundërshtarin. Ne shpresojmë për mbështetjen e tifozëve në sallë”, ka shtuar Quni.