Quni: Objektivi i Kosovës, të bëhet pjesë e iniciativave rajonale

16 dhjetor 2020 | 14:10

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ishte pjesëmarrës i takimit “Bashkëpunimi Mbrojtës i Evropës Qendrore”, që u mbajt sot në Slloveni përmes video-komunikimit.

Pjesëmarrja e ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës në këtë takim, ishte një mundësi e mirë për të shprehur qëndrimet dhe objektivat e Kosovës, në fushën e bashkëpunimit dhe sigurisë me vendet evropiane, si dhe gatishmërinë për të dhënë kontributin në fushën e sigurisë, në nivelin regjional, evropianë dhe global, raporton “Epoka e re”.

Duke folur për aspiratat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, për të qenë pjesë e integruar e botës Euro-Atlantike, ministri Quni ka thënë se qëllimi dhe objektivi strategjik i Kosovës është që sa më parë të bëhet pjesë e iniciativave të ndryshme rajonale si anëtare me të drejta të plota.

“Ky është një parakusht dhe është në përputhje me aspiratat tona për t’u integruar në proceset Euro-Atlantike dhe unë mund t’ju siguroj që të gjithë krahët politikë në Kosovë janë të orientuar absolutisht drejt integrimit Euro-Atlantik, dhe ne, po punojmë në këtë drejtim. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë sfidë dhe do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona për ta arritur atë”, ka deklaruar Quni.

Po ashtu, ministri Quni ka shprehur gatishmërinë që Kosova të japë kontributin e vet edhe përmes angazhimeve konkrete në ruajtjen e paqes, krah për krah shteteve të aleancës Veri Atlantike, në të mirë të paqes së përgjithshme. “Është një fakt i njohur, që për momentin Kosova është një konsumator i sigurisë, i siguruar nga angazhimi operativ CSDP (Siguria e Përbashkët dhe Politika e Mbrojtjes) përmes EULEX-it, dhe operacionet e NATO-s / KFOR-it, dhe unë mund të konfirmojë gatishmërinë e qeverisë sonë për të bashkëpunuar me ta. Por ne nuk duam të mbetemi vetëm konsumator”, është shprehur ministri Quni.

Në fjalën e tij, ministri Quni një rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe gatishmërisë së Kosovës për të bashkëpunuar edhe më ngushtë me shtetet evropiane, me institucionet evropiane të sigurisë për të dhënë kontributin edhe Kosova si shtet. “Unë do të doja ta përdor këtë forum për të shprehur dëshirën tonë për të kontribuar në misionet ndërkombëtare dhe operacionet e drejtuara nga BE-ja. Dhe ne, si qeveri do të ndërmarrim hapat e nevojshëm përpara për të arritur këtë qëllim”, ka thënë ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ministri Quni ka theksuar rëndësinë e ndihmës dhe përkrahjes nga vendet evropiane për të realizuar këto qëndrime dhe objektiva, që do të ishin jo vetëm në të mirë të sigurisë së Kosovës, por edhe vet Evropës dhe sigurisë së përgjithshme. “Si përfundim, unë do të doja të ritheksoj se Kosova e konsideron këtë forum si një platformë të vlefshme për rritjen e partneriteteve dhe nxitjen e procesit të integrimit Euro-Atlantik, dhe unë do të doja ta shfrytëzoja këtë mundësi për të kërkuar mbështetjen tuaj për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Anton Quni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës, konkretisht Drejtoria e Shëndetësisë gjatë vitit 2020…