Quni: Procesi i vlerësimit të ushtarëve të rinj do të bëhet sipas standardeve të ushtrive bashkëkohore
Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe atasheu i Mbrojtjes së ShBA-së, kolonel Stephen Rose, kanë realizuar një vizitë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së në Ferizaj.
Qëllimi vizitës ishte njoftimi nga afër me procesin e testimit fizik të kandidatëve për përzgjedhjen e ushtarëve aktiv të FSK-së, i cili është duke u realizuar në kuadër të procesit rekrutues për vitin 2020.
Paraprakisht, ministri Quni, me delegacionin e tij, ka vizituar shtabin e përgjithshëm të FSK-së, ku nga ana e shefit të Departamentit të Personelit, kolonel Ilir Shyti, është njoftuar me procesin e përgjithshëm të rekrutimit, aktivitetet, të arriturat e deritashme dhe procedurat e përzgjedhjes në proces e sipër. Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, ministri Quni dhe gjeneral Rama janë pritur nga komandantja, gjeneralbrigade Irfete Spahiu, e cila i ka njoftuar ata me aktivitetet e njësisë në përgjithësi me fokus në angazhimin e pjesëtarëve të saj dhe mbështetjen e përgjithshme të ekipit vlerësues në realizimin sa më të suksesshëm të testimit fizik të kandidatëve për ushtarë aktiv.
Në fjalën e tij, ministri Quni, ka vlerësuar lart angazhimin e Departamentit të Personelit të ShPFSK-së, Ekipit Vlerësues të Instruktorëve dhe Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, edhe pse në kushte të kufizimeve dhe masave anti-Covid, për angazhimet dhe të arriturat e deritashme, duke shprehur besimin e realizmit të suksesshëm të këtij procesi, me vlerësimin e kandidatëve më të suksesshëm për garim në fazat tjera të testimit me kurorëzim të procesit duke përzgjedhur kontingjentin e ushtarëve të rinj të synuar për vitin 2020.
Nga ana e tij, gjenerallejtënant Rama, ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e deritashëm dhe ka kërkuar nga përgjegjësit të vazhdojnë me respektimin e plotë të procedurave, kritereve dhe standardeve më të larta të testimit, kompatibile me ato të vendeve më të avancuara të NATO-s. Përshtypjet e tij gjatë vizitës i ka shprehur edhe kolonel Rose, i cili ka çmuar lart përkushtimin e të gjithëve për realizimin sa më të suksesshëm të testimit edhe pse nën masat kufizuese anti-Covid.
Në vazhdim, ministri Quni dhe gjenerallejtënant Rama, me delegacionin shoqërues, kanë vizituar stacionet e testimit fizik, ku nga afër kanë parë ekzekutimin e disiplinave nga ana e kandidatëve të sotëm si dhe procedimin e vlerësimit të tyre nga ana e personelit të autorizuar.
“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja iu shërbejnë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe iu mirëpresin juve për shërbim në FSK, pa dallim nga përkatësia e juaj etnike” ka thënë Quni në adresimin e tij para kandidatëve prezent.
Kurse gjenerallejtënant Rama, kandidatët e pranishëm i ka inkurajuar për rezultate sa më të larta në testime, duke ua rikujtuar nderin, privilegjin, por edhe përgjegjësinë e lartë e të qenurit ushtarë e ushtare në mbrojtje të vendit e qytetarëve tanë.
Procesi i rekrutimit të ushtarëve në FSK për vitin 2020 ka filluar më 10 gusht me fazën e aplikimit duke vazhduar me shqyrtimin fillestar të aplikacioneve. Nga data 28 shtator është duke u zhvilluar procesi i testimit fizik për të vazhduar me testet dhe procedurat tjera.
Ky proces është duke u monitoruar edhe nga ekipi i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) që dëshmon transparencën dhe llogaridhënien e plotë institucionale të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si institucionet me besueshmërinë më të lartë qytetare për vite me radhë.