Quni: Serbët nuk duan të largohen nga FSK-ja
Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka thënë se problemet me largimin e pjesëtarëve serbë nga Forca e Sigurisë së Kosovës kanë stagnuar dhe tash e sa kohë nuk ka kërkesa të tilla për largim.
Quni ka folur edhe për realizimin e planit të vitit, problemet e shkaktuara nga pandemia, shkurtimin e buxhetit për ushtrinë dhe ndihmën e marrë nga partnerët ndërkombëtarë.
Pas ngritjes së kapaciteteve të FSK-së, autoritetet e Serbisë në forma të ndryshme, edhe përmes shantazheve, kishin nisur presionin ndaj ushtarëve të FSK-së, pjesë e komunitet serb, çka edhe kishte bërë që shumë prej tyre të dorëzojnë uniformën duke u larguar nga Forca.
Ministri Quni ka thënë se tash e sa kohë nuk ka pasur kërkesa të tilla nga serbët në FSK.
Megjithatë, ai ka thënë se presioni nga Beogradi ka vazhduar në forma të ndryshme njëjtë sikurse edhe në të kaluarën, pjesëtarët serbë të FSK-së vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë Forcës.
“Mund të themi që ka stagnuar, është një periudhë kur nuk kemi pasur kërkesa të pjesëtarëve të komunitetit serb që të largohen nga FSK. Vazhdojmë t’ju japim përkrahje të gjithë atyre që i mbesin besnik Forcës së Sigurisë së Kosovës duke i ndërmarrë masat e sigurisë, duke u marrë me problemet më esenciale, për të gjitha këto ngjarje janë të njoftuara të gjitha autoritetet më të larta shtetërore dhe besoj e marrin në konsideratë shqetësimin tonë sepse nuk është shqetësim vetëm i komunitetit serb por i gjithë FSK-së sepse nuk dëshirojmë që asnjë pjesëtar i FSK-së të jetë viktimë e ndonjë presioni, shantazhi që vjen nga jashtë Kosovës”, ka thënë Quni për “Kosovapress”.