Quni: Strategjinë e Sigurisë e përgatiti një njeri me metodën ‘copy-paste’ nga interneti

24 tetor 2022 | 11:54

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, e ka quajtur sipërfaqësor dhe të kopjuar nga shtetet e rajonit Strategjinë e sigurisë 2022-2027, e cila po shqyrtohet sot në Kuvendin e Kosovës.

Quni ka thënë se me hartimin e kësaj strategjie “është marrë vetëm një njeri”, i cili, sipas tij, ka punuar me metodën “copy-paste” nga interneti.

“E kam kuptuar që me hartimin e strategjisë është marrë vetëm një njeri, një person, i cili nën presionin e kohës dhe përvojës së vogël për punë ekipore e ka kompletuar dokumentin duke bërë ‘copy-paste’ të paragrafëve të strategjive të shteteve të Ballkanit. Po më vjen inati me e thënë këtë”, ka thënë Quni.

Paraprakisht, Quni ka thënë se ky rast ia kujtoi një mik të tij, i cili në një ministri harton strategji me metodën “copy-paste”.

“Mu kujtua një ngjarje me një mik timin. Ai punon në një ministri dhe unë e pyeta çka punon konkretisht. Unë – tha – në ministri jam strateg. Thash, shpjegoma pak. Po tha, kur më takon ministri në korridor, më thotë ma bëj strategjinë për filan temën, unë i hyj internetit ‘copy-paste’, i marr do paragrafe, ia kompletoj një dokument, ia dorëzoj dhe ai fascinohet. Mendon që jam strategu më i mirë në ministri, mendon që jam gjenial. Kryeministër, më besoni, në këtë frymë është punuar kjo strategji”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Comodita Home sjell eventin e madh “Garage Sale” me zbritje…