Quni viziton Regjimentin e Tretë të Forcave Tokësore
Pas situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19 dhe me qëllim të informimit nga afër me nivelin e gatishmërisë operacionale të njësiteve të angazhuara në Forcën për Detyrë, sot ministri, Anton Quni, ka vizituar Regjimentin e Tretë të Forcave Tokësore në Mitrovicë.
Me këtë rast, nga ana e zëvendës komandantit të Regjimentit të Tretë, Nënkolonel Avni Kiçina, ministri u njoftua me planin e gatishmërisë, nivelin e koordinimit me komandën superiore, veprimet e deritashme si dhe nivelin e gatishmërisë së kapaciteteve njerëzore specialistike, material, teknike dhe mbështetjes logjistike të regjimentit përkatës.
Në këtë rrethanë të jashtëzakonshme, ku është me rëndësi jetike shëndeti i qytetarëve, Ministri Quni ka theksuar domosdoshmërinë që FSK, të jetë e gatshme të ju shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike dhe gjithnjë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me KFOR-in.