
QYTET ME CERBERË NË PORTË
Avni Dehari
(Natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 formacioni kriminal serb “Rojat e Urës” në prani të KFOR‐it francez dhe të policisë së UNMIK-ut në pjesën veriore të Mitrovicës sulmoi me armë banorët shqiptarë, nga të cilët dhjetë i vrau, me dhjetëra i plagosi e i torturoi dhe rreth 12 mijë i dëboi nga shtëpitë)
Një natë shkurti,
Të zezë si korbi,
Lukuni çmendurakësh,
Me trokëllima çizmesh,
Që tokën dridhnin,
Me rropama dyersh,
Të hapura krah më krah,
Copë-copë të shqepura,
Me bajoneta
Të lara në gjak,
Me armë,
Që zjarr villnin,
Lemeri përhapnin,
Vdekjen mbillnin,
Në qytetin përtej urës,
Që plagët e luftës po lëpinte!
Liria ‒ Lule e Brishtë,
Në një qoshe sterrë
Ishte strukur;
Flokëhapareshur,
Si në stuhi,
Kokën mbante me duar,
Të mos çmendej!
Buzën kafshonte,
‒ Plagë e hapur!
Pa një pikë gjak në fytyrë,
‒ Frika ia kishte prerë!
Pa veshë,
‒ Çirrmat ia kishin pëlcitur!
Pa shpirt,
‒ Vreri ia kishte mbytur!
Pa zemër,
‒ Zog iu kishte bërë!
Puliste sytë
Të mos i shihte flakët,
Që shtëpitë përpinin,
Të mos i shihte shkelësit,
Që gjak për raki pinin!
Gjuha nyjë,
Një fjalë nuk ia nxirrte,
Për atë natë të kobshme,
Për atë natë Shën Bartolomeu!
Një natë shkurti,
Të zezë si korbi,
Në qytetin përtej urës
Njerëzit si hije,
Me kokë në gërshërë,
Pa bërë një sy gjumë,
Pa i lidhur plagët e trupit,
Pa i kallur të vrarët në dhe,
Qytetit ia kthenin shpinën,
Ku sytë këmbët,
Vdekja ua puthte thembrat!
Qytet,
Me mina në urë,
Qytet,
Me cerberë në portë,
Qytet,
Me mure,
Pengesë në rrugë,
Bijtë e tu zemërthyer,
Me sytë nga ura,
Për çdo mëngjes
Ngjeshin bukën
E shpresës së kthimit!