Qytetarë, mos e nxirrni situatën jashtë kontrollit
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShP), Naser Ramadani, sot në mëngjes u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë rekomandimet e IKShP-së në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë në kontroll në të kundërtën, sipas tij, situata do të dalë jashtë kontrollit si në shtete e Evropës.
Ramadani në emisionin Zyra e Ankesave në “RTV Dukagjini” tha se ekipi kryesor shëndetësor i shtetit nuk mund të komunikojë me secilin individ pasi, sipas tij, puna aktuale e tyre është tepër e madhe.
“Qëndroni në shtëpi, pushoni. Zbatoni rekomandimet, përndryshe rreziku është për të gjithë ne”, tha drejtori i IKShP-së. Ai shtoi se rastet e fundit të së enjtes janë raste të kontaktit, me përjashtim të njërit i cili, për shkak të punës dhe kontakteve të shumta që ka pasur, nuk e di nga e ka marrë virusin. Por, edhe ky rast po verifikohet.
Ramadani tha se edhe rasti në Llugaxhi të Pejës është rast i kontaktit dhe është në mbikëqyrje.
“Respektoni rekomandimet e Institutit. Na ndihmoni ta kryejmë punën e tonë. Nëse nuk respektohen rekomandimet rrezikohet shëndeti i qytetarëve”, ka bërë thirrje Ramadani
Sipas tij, po të shikohet situata epidemiologjike në Evropë shihet se shtetet nuk e kanë situatën në kontroll, e që mund t’i dalë edhe Institutit. “Në Prishtinë po vërehen dalje masive në orët e lëvizjes së lirë. Grumbuj të njerëzve që po rrezikojnë veten dhe të gjithë. Nuk bën kështu. Duhet të rrinë në shtëpi”, ka thënë Ramadani.