Qytetarët arin e sigurojnë në shtëpi

12 gusht 2018 | 09:50

Qytetarët e Kosovës posedojnë sasi të ndryshme të metalit të çmuar, përfshirë edhe arin, por që këtë produkt vazhdojnë ta ruajnë në shtëpitë e tyre.

Edhe pse bankat komerciale në Kosovë në bazë ligjore, përveç mjeteve financiare, ruajnë gjërat me vlerë, deri më tani asnjë person nuk ka marrë “guximin” që arin ta sigurojë në këto institucione.

Njëra nga to është Blerina nga Prishtina. Ajo, madje, shprehet se nuk ka informacione se ekziston një mundësi e ruajtjes së këtij produkti në institucione.

“Po kam ari, jo në sasi të madhe. E mbaj në shtëpi, nuk e di se ka mundësi ta ruaj në banka. Jo nuk e dërgoj, e përdori herë pas here”, thotë Blerina.

Por, Albana nga Mitrovica nuk beson që gjërat me vlerë t’i ruajë në bankat komerciale.

“Po kam shumë ari, kam blerë vetë, por edhe dhurata nga familjarët. Nuk u besoj bankave për ta ruajtur arin. Nuk e dërgoj asnjëherë”, thotë Albana.

Edhe zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se deri më tani asnjë nga këto rezerva nuk mbahen në këtë institucion.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës,(BQK) thotë për “Radion Evropa e Lirë”, “se ligji i lejon BQK-së që në kushte të veçanta, konform mundësive të saj hapësinore, t’u ofrojë palëve të kualifikuara ruajtjen e artikujve (gjësendeve) në trezorë për periudha të caktuara (që mund të jenë edhe në ari apo metale të çmuara). Tarifat për këtë shërbim thuhet se janë simbolike”, ka deklaruar Ahmeti.

Ky vendim, sipas tij, merret vetëm me aprovimin dhe me përcaktimin e kushteve nga Bordi Ekzekutiv i BQK-së.

Por, ekspertë për çështje financiare, shprehen se kjo çështje është e lidhur me traditën e qytetarëve që gjësendet me vlerë, siç janë paratë dhe ari, t’i sigurojnë në shtëpitë e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), po i fton besimtarët që…