Qytetarët dhe institucionet të rrezikuara nga keqpërdorimi i sistemit të të dhënave
Zhvillimi i hovshëm i epokës digjitale ka bërë që të transformojë jetën e njerëzimit dhe të shtojë numrin e përdoruesve të internetit, epokë e cila po paraqet edhe sfida të shumta në ruajtjen sigurisë dhe privatësisë.
Për këtë arsye 28 janari, Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, e njohur edhe si Dita Ndërkombëtare e Privatësisë, shënohet si datë ku ekspertë të fushës organizojnë edhe fushata ndërgjegjësuese për t’i informuar qytetarët lidhur me të drejtat e tyre në mbrojtjen e të dhënave personale.
Me këtë rast, Kolegji UBT në bashkëpunim me komitetin Cyber Security and Privacy, ka mbajtur trajnimin që ka të bëjë me mbrojtjen e të dhënave personale, shkeljen e privatësisë, si dhe masat që duhet të merren në rast se keqpërdorohen të dhënat.
Mentor Hoxhaj nga Cyber Security and Privacy, përmes shembujve praktik ka treguar se duhet ndërgjegjësim në këtë aspekt, ngaqë sipas tij zhvillimi teknologjik ka bërë që sot çdo komunikim në mbarë botën, në çdo formë, në çdo kohë mund të monitorohet.
Hoxhaj ka theksuar se operatorët telefonikë në Kosovë, veç policisë dhe shërbimeve inteligjente, kanë qasje në gjitha informatat e klientëve të tyre. Kjo, sipas tij, përbënë edhe shkelje ligjore.
“Policia e Kosovës ka autoritet që të vendosi kamera në hapësira publike. Në atë kohë të dhënat të cilat janë ruajtur kanë qenë numri i telefonit, numri i cili ka thirrur dhe koha e thirrjes. Ndërsa tash kemi mbi 40 të dhëna të cilat ruhen në momentin kur thërrasim dikë. Posta i ka dhëna linçet policisë dhe ua jap autoritetin atyre që t’i përgjojë thirrjet. Në bazë të ligjit Ipko dhe Vala nuk do të duhej të dinin se kush po përgjohet. Kemi dy dhoma të përgjimit, ajo e Inteligjencës dhe Policisë. Çdo klient i shërbimit të Vala mundet të përgjohet nga Policia e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Në kohën kur në botë, organet e ndryshme po bëjnë përpjeke për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e mbrojtjes së të dhënave, në Kosovë, Mentor Hoxhaj ka potencuar se vetë zyra e kryeministrit të Kosovës dhe komunat e vendit nuk janë të mbrojtura në sistemin e të dhënave.
Sipas tij, kjo mund të rrezikojnë edhe manipulimin e të dhënave të ndryshme.
“Gjithnjë është dikush që është duke mbledhur informacione mbi ju. Zyra e kryeministrit dhe Komuna e Prishtinës janë të rrezikuar nga hakerët pasi që ata nuk janë mjaftueshëm të mbrojtur”, ka thënë Hoxhaj.
/Epoka e re/