Qytetarët e Drenasit kërkojnë ndryshim
Në këtë fazë të zhvillimit të vendit, kur shumë komuna fqinje, si ajo e Fushë-Kosovës, Lipjanit, Skenderajt etj. kanë ecur shumë përpara me zhvillim, përkundër asaj që Drenasi ka qenë shumë para tyre dikur, kjo tek qytetarët po shihet me një pezëm e mllef. Pikërisht për këtë arsye, shumë qytetarë e biznese janë larguar nga kjo komunë, bashkë me shumë të rinj, të cilët po deklarohen se iu kanë vra shpresat. Kësaj gjendjeje i kanë kontribuar qeverisjet komunale, të cilat interesin e qytetarit asnjëherë nuk e patën në plan të parë. Bie fjala, sot në këtë komunë qytetarët ende ankohen për mungesë të kanalizimeve e ujësjellësve nëpër vendbanimet e tyre, nevoja këto bazike e që do të duhej të ishin tema të harruara!
Po ashtu, ankesa të mëdha ka edhe në planin e ndërtimit të rrugëve, në prioritizimin dhe cilësinë e punimit të tyre, në rreth rrotullime, që do të ndikonin në cilësinë e trafikut dhe në sigurinë e qytetarëve. Janë një armatë e tërë e pensionistëve të cilët janë injoruar skajshmërisht, pa pasur një vend për t’u takuar, siç ndodhë në komunat tjera.
Ankesa të shumta ka edhe në adresë të punësimeve, që bëhen mbi bazat e nepotizmit, familjarizimit dhe pazareve të ndryshme për interesa grupore, partiake e klanore!
Ka arsimtarë që deklarojnë se cilësia e kuadrove që angazhohen jashtë kritereve , po e dëmton tej mase arsimin në komunë. Të mos flasim për sektorin e bujqësisë dhe atë të ndërtimit, ku përdoren kritere të dyfishta: dikujt i lejohet aty ku është e ndaluar, e dikujt i rrënohet!
Edhe në sektorin e shëndetësisë është punuar fare pak. Nuk është investuar në zgjerimin e rrjetit dhe pajisjen me mjete moderne të ambulancave e qendrave të mjekësisë familjare. Ende në QKMF në Drenas sheh pajisje të viteve të gjashtëdhjeta, që iu ka skaduar çdo afat.
Kultura përbën njërin prej mjerimeve të këtij mjedisi. Një veprimtar i kësaj fushe na tha se kjo sferë është kthyer në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, ku mungonte çdo aktivitet. Edhe sporti është goditur keq. Klubi i njohur i “Ferronikelit” tashmë rrezikon të bie një një rang më të ulët, për shkak të “pazareve” që janë bërë kohë më parë dhe ndërhyrjeve nga jashtë.
Prona private nuk shfrytëzohet për zhvillim ekonomik e interesa të përgjithshme të qytetarëve, por për interesa klanore. Në mungesë të strategjisë dhe bazuar në lakmi të grupeve dhe oligarkëve, janë stër-ngritur pika të shumta karburanti, që e rrezikojnë ambientin, shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Veç kësaj, janë lejuar vend e pa vend markete të “importuara” nga mjedise të ndryshme, duke rrezikuar ato vendore, pa pikë nevoje. Nuk ka lehtësime për biznese, sidomos familjare dhe të grave, gjë që i shtynë njerëzit t’i mbyllin ato dhe të marrin rrugën e mërgimit. Statistikat e tashme flasin se nga regjistrimi i parafundit e deri te ky më i riu i vitit 2024, komunën e kanë lëshuar 10.391 qytetarë, sipas të dhënave preliminare.
Në secilin kënd në Drenas sheh zymtësi e pakënaqësi, prandaj me të drejtë qytetarët kërkojnë ndryshim.
Partia Politike “Bashkimi Demokratik”
Zyra për Komunikim Publik
E-mail: [email protected]